Popullsia e botës ka njohur rritje te ndjeshme duke mbërritur aktualisht në 8 miliardë vetë, por këto ritme nuk do të vazhdojnë përgjithmonë.
Në fakt, sipas OKB, rritja e popullsisë është duke u ngadalësuar dhe pikën kulmore do ta mbërrijë në 2084-tën, kur do të nisë të tkurret sërish në pak më pak se dhjetë miliardë njerëz.
Kjo del nga parashikimi i ri i publikuar së fundi nga Kombet e Bashkuara. Studiuesit nxjerrin në pah faktin që gratë në mbarë globin kanë sot mesatarisht më pak fëmijë se në vitin 1990.
Rënia e lindjeve ka prekur të gjitha rajonet në dekadat e fundit. Aktualisht, gratë në mbarë botën kanë mesatarisht 2.2 fëmijë.
Megjithatë, për shkak të inercisë së proceseve demografike, kjo do të zgjasë deri në vitin 2084 para se popullsia botërore të arrijë maksimumin e saj.
Pas kësaj, numri në rënie i lindjeve pritet të kapërcehet nga numri në rritje i vdekjeve.
Popullsia e botës jo vetëm që do të plaket, por edhe do të fillojë të tkurret. Afrika subsaharariane shihet si rajon kyc për rritjen e popullsisë në dekadat e ardhshme.
Ndërkohë që një numër në rritje vendesh po regjistrojnë numër më të lartë vdekjesh, niveli i lindjeve aty është ende mesatarisht 4.3 fëmijë për grua.
Arsyeja e rritjes së popullsisë në Afrikën Sub-Sahariane qëndron në strukturën e moshës jashtëzakonisht të re, sipas ekspertëve.
Në këtë rajon të botës, ku më shumë se 40 për qind e njerëzve janë nën 15 vjeç, shumë vajza lindin fëmijë shumë herët dhe shpesh më shumë fëmijë sesa mund të kujdesen për ta.
Përveç kësaj, në shumë raste, shtatzënia në adoleshencë nënkupton fundin e jetës shkollore, duke u privuar grave dhe vajzave mundësinë për t’u arsimuar dhe për të fituar të ardhura të pavarura.