Franca përballet me një realitet të vështirë përpara pasi krahu i majtë “Fronti i Ri Popullor” bllokoi përpjekjen e Marine Le Pen për të sjellë në pushtet të djathtën ekstreme. Asambleja Kombëtare me 577 vende, dhoma e ulët e legjislaturës së Francës, tanimë është e ndarë mes të majtës, qendrës dhe të djathtës ekstreme. Asnjë grup nuk është as afër mazhorancës, ku asnjëri nuk ka siguruar 200 deputetë.
Fronti i Ri Popullor i veteranit Jean-Luc Mélenchon, një nga partitë brenda aleancës së krahut të majtë, ka përjashtuar mundësinë e qeverisjes me liberalët e presidentit. Ka shumë ide për të cilat e majta, liberalët dhe e djathta ekstreme nuk do të bien kurrë dakord si politikat fiskale.
Analistët shprehen se një javë më parë, dukej sikur Macron po shkonte drejt katastrofës, me zgjedhjet e tij të parakohshme jo vetëm që dështuan të ndalonin Le Pen, por e vendosën partinë e saj një hap larg pushtetit.
Deri të dielën në mbrëmje, koalicioni i tij centrist shmangu më të keqen, duke mbijetuar si një forcë parlamentare, ndonëse më e vogël, ndërsa partia e Le Pen u rendit e treta. Mediat shkruajnë se edhe pse e djathta ekstreme nuk arriti të fitonte ajo mbetet një forcë politike është tani më e fortë dhe liberalët më të dobët, përpara një gare presidenciale të hapur në 2027.
Përpara zgjedhjeve të parakohshme, presidenti komandonte grupin më të madh në parlament. Tani ai ka të ngjarë të punojë me një politikan opozitar si kryeministër. Meqë asnjë parti nuk ka fituar plotësisht, është e mundur që presidenti të zgjedhë një periudhë qetësie që do t’u japë kohë partive për të zhvilluar bisedime për koalicionin.
Nëse asnjë nga palët nuk do të mund të arrijnë shumicën e nevojshme atëherë presidenti Macron mund t’i kërkojë partisë më të madhe të udhëheqë një qeveri të pakicës. Përndryshe, ai mund të emërojë një qeveri teknokratike, por nuk ka gjasa të mbijetojë për një kohë të gjatë. Paqëndrueshmëria mund të pasojë, veçanërisht pasi presidenti nuk mund të thërrasë zgjedhje të reja parlamentare për një vit tjetër.