Kuvendi i Kosovës e mbajti një seancë solemne më 12 qershor për nder të 25-vjetorit të Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë.
Seanca nisi me këndimin e himnit shtetëror të Kosovës dhe himnit kombëtar shqiptar, si dhe me një minutë heshtje për të gjithë të rënët në luftën e viteve 1998-’99.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur në seancën solemne, tha se hyrja e NATO-s në Kosovë ishte “triumf i të mirës ndaj të keqes dhe triumf i drejtësisë mbi shtypjen”.
Osmani në fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se NATO solli mesazhin se nuk e kishte harruar Kosovën.
“Ata nuk ishin vetëm ushtarë, ata ishin shpëtimtarë, ata sollën me vete premtimin e lirisë, sigurinë se bota nuk kishe harruar për popullin e Kosovës, dhe vendosmërinë për t’i dhënë fund mizorive të kryera kundër popullit tonë”, tha ajo.
Osmani po ashtu tha se sot Kosova e meriton të jetë pjesë e aleancës së NATO-s.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “sot e shënojmë 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës duke qëndruar së bashku me aleatët tanë, njësoj si më 12 qershor dhe njësoj si në ditët e para të çlirimit”.
Ai theksoi se dëshiron që në Kosovën “tonë demokratike, pikërisht pse kemi humbur dhe vuajtur kaq shumë” të gjithë qytetarët pa dallim etnie “të gëzojnë dhe të fitojnë; shumica shqiptare bashkë me pakicat serbe, boshnjake, turke, ashkalinjtë, romët, egjiptianët, por edhe me kroatët dhe malazezët”
“Sikur atëherë dhe tani, Serbia rri e rreshtuar prapa Rusisë, ashtu siç Rusia qëndron prapa shumë veprimeve të Serbisë, kurse shteti jonë Kosova, bashkë me Shqipërinë, ka shkuar duke i forcuar lidhjet dhe aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara, me Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Turqinë, Francën Italinë dhe vendet e tjera perëndimore. Bashkimi Evropian është familja jonë e synuar politike, kurse NATO-ja është destinacioni ynë ushtarak”, shtoi Kurti.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, me këtë rast, ndër të tjera, tha se shqiptarët kanë nevojë për të ruajtur dhe forcuar kohezionin e tyre kombëtar dhe social kulturor edhe sot, “në një kohë kur Serbia dhe aleatët e saj kanë mobilizuar kapacitetet diplomatike dhe mediatike në një fushatë thellësisht keqdashëse për të njollosur luftën e drejtë dhe parimore të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës.
“Ne kemi nevojë më shumë se kurrë që të jemi bashkë. Ne kemi nevojë më shumë se kurrë për një manifest krenarie kombëtare”.
Ai tha se Shqipëria do të vazhdoj të lobojë për Kosovën për njohje të reja dhe integrimin e saj në organizata ndërkombëtare.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se shteti serb kishte “vetëm një synim: shfarosja e një populli të tërë” nga territori dhe përmes krimeve të cilat “morën përmasën e gjenocidit”.
“Për ne, Serbia mbeti e njëjtë, pavarësisht a u quajt dikur Mbretëri Jugosllave, a u quajt pastaj Jugosllavi Federative a Socialiste. Politikat e shtypjes, e dëbimit, e shpronësimeve, e diskriminimi dhe e nënçmimit, kanë qene tipari konstant i secilit prej këtyre regjimeve”, tha Konjufca.