Rezultatet paraprake të zgjedhjeve europiane tregojnë se partitë e qendrës, ato liberale dhe socialiste do të vazhdojnë të ruajnë shumicën në Parlamentin Europian, por ekstremi i djathte ashtu siç parashikohej ka avancuar ndjeshëm, duke i dhënë goditje të forta brenda kufijve liderëve të disa vendeve.
Pas disfatës përballë Frontit Nacional të Marine le Pen, presidenti francez Emmanuel Macron shpalli zgjedhjet e parakohshme në 30 qershor. Fronti Nacional fitoi në zgjedhjet europiane më shumë se 31 % të votave, kurse kampi qeveritar i Macron (Rilindja) më pak se 15%. Krahasuar me zgjedhjet europiane 2019, partia e Le Pen i shtoi votat e saj me rreth 10% votat. Le Pen e quajti këtë “agimin e një dite të re”.
“E shoh këtë rezultat si testament të qartësisë, guximit dhe pavarësisë së vetë vlerave franceze, të cilat do të jenë thelbësore për rimëkëmbjen e kombit tonë në të ardhmen”, tha Le Pen.
Zgjedhjet për Parlamentin Evropian u mbajtën nga data 6 deri më 9 qershor në të 27 vendet e Bashkimit Europian. Partitë populiste të djathta shënuan në shumë vende rritje të ndjeshme të elektoratit. Në Austri partia populiste e Lirë, FPÖ doli fituese me 26%. Në Itali kryeministrja Girogia Meloni triumfoi me partinë Fratteli d’Italia, e siguroi në garën e ashpër më shumë se 29% të votave.
“Jam krenare që vendin ynë prezantohet në G7 me qeverinë më të fortë nga të gjitha. Kjo është diçka që nuk ka ndodhur në të kaluarën. Ajo që po ndodh tani është edhe kënaqësi, por dhe një përgjegjësi e madhe. Dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë përgjegjësi”, tha Meloni.
Në Gjermani, fitorja i takoi partive të Unionit CDU/CSU me 30%, megjithatë partia Alternativa për Gjermaninë, AfD nga e djathta ekstreme doli forca e dytë politike, me 15,9% të votave. Socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz shënuan rezultatin më të keq ndonjëherë duke u renditur të tretët. Në vend të klimës, fushatën këtë herë në Gjermani për zgjedhjet europiane e përcaktuan shqetësime më të ngutshme të zgjedhësve si emigracioni, politika ekonomike dhe siguria. Kryeministri belg Alexander De Croo njoftoi dorëheqjen pas humbjes së thellë të partisë së tij , Liberalët dhe Demokratët Flamandë, e tani pritet t`ia dorëzojë atë mbretit Philippe, i cili ka fuqinë që edhe ta refuzojë.
E djathta shënoi fitore edhe në Spanjë, si dhe përparim të konsiderueshëm në Hungari, ndërsa në Holandë, Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë doli e dyta. Shumicën në Parlamentin Europian, i cili ka 720 vende, pritet ta formojë sërish Partia Popullore Europiane e qendrës së djathtë, e cila, sipas rezultateve preliminare, ka fituar 184 vende.
Por, rezultati i së djathtës brenda Parlamentit Europian me gjasë do ta bëjë më të vështirë miratimin e legjislacionit të ri, që mund të jetë i nevojshëm për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë, ndikimit të ndryshimeve klimatike ose konkurrencës industriale nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara.