PRESIDENTJA KA TË DREJTË TË PËRDORË EMRIN MAQEDONI, SI AKT I TË DREJTËS PERSONALE PËR VETËVENDOSJE DHE VETËIDENTIFIKIM

Zyra e presidentes së Maqedonisë së Veriut përmes një kumtese iu është përgjigjur reagimeve të shumta lidhur me përdorimin e emrit kushtetues të vendit.

Gjatë ceremonisë së betimit solemn, të mbajtur dje në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, presidentja e sapozgjedhur Gordana Siljanovska Davkova përdori emrin e vjetër “Maqedonia”.

Maqedonia e Veriut dhe Greqia në qershor të vitit 2018 nënshkruan Marrëveshjen e Prespës, duke i dhënë fund kontestit për emrin, sipas së cilës Maqedonia ndryshoi emrin në Maqedonia e Veriut, ndërsa Greqia hoqi veton për anëtarësim të vendit në NATO.

Reagimet në lidhje me veprimin e presidentes Siljanovska Davkova filluan menjëherë, kur sallën e Kuvendit e lëshoi ambasadorja e Greqisë në Shkup, Sophia Philippidou.

Në lidhje me këtë, reaguan zyrtarë të lartë të BE-së, duke bërë thirrje në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës, ndërsa reagime edhe më të ashpra kishte nga Bullgaria dhe Greqia.

Në kumtesën e presidencës së Maqedonisë së Veriut thuhet se presidentja do t‘i përmbahet aplikimit të emrit kushtetues, por theksohet se ajo “ka të drejtë të përdorë emrin Maqedoni, si akt i të drejtës personale për vetëvendosje dhe vetëidentifikim”.

“Në paraqitjet e saj publike, presidentja maqedonase ka të drejtë të përdorë emrin Maqedoni, si akt i të drejtës personale për vetëvendosje dhe vetëidentifikim, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në përputhje me vlerat dhe parimet evropiane. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova do t’i përmbahet aplikimit zyrtar të emrit kushtetues”, thuhet në kumtesë, duke shtuar se betimi solemn është nënshkruar duke përdorur emrin kushtetues.

“Në 5 vitet e fundit, institucionet maqedonase pothuajse plotësisht i kanë përmbushur obligimet e tyre nga Marrëveshja e Prespës dhe presidenti pret që të gjithë partnerët maqedonas të respektojnë obligimet bilaterale dhe shumëpalëshe që i kanë marrë ndaj vendit”, thuhet gjithashtu në kumtesë.

SHARE