Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje në përkujtim të viktimave të Masakrës së Srebrenicës që ndodhi gjatë vitit 1995 në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Shumica e deputetëve kanë vendosur shalle të gjelbra me lule që është simbol i përkujtimit të Srebrenicës, të cilat u shpërndanë paraprakisht nga deputetja boshnjake Duda Balje para fillimit të seancës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjuca, tha se krimet nuk vjetrohen dhe shpreson që kryerësit e veprave kriminale në Srebrenicë të dënohen.
“Gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit janë një krim që nuk vjetrohen kurrë. Andaj, shpresojmë gjithmonë që edhe kriminelët më në fund ta marrin dënimin e merituar një ditë”, theksoi Konjufca.
Bahrim Shabani, deputet i koalicionit boshnjak Vakat tha se çdo 11 korrik trupat apo pjesët e trupave të viktimave boshnjake të gjenocidit në Srebrenicë, janë varrosur në Qendrën Përkujtimore të Potoçarit në Srebrenicë.
Shabani tha se ndërsa bota kujton gjithmonë këtë ditë, nga ana tjetër, autorët e këtij gjenocidi të tmerrshëm në zemër të Evropës, ku brenda pak ditësh u vranë brutalisht më shumë se 8.000 boshnjakë të pafajshëm, mohojnë vit pas viti krimet e kryera.
“Prandaj, boshnjakët kudo që janë, duhet ta kujtojnë dhe nuk duhet ta harrojnë kurrë këtë krim”, tha Shabani dhe shtoi se Republika e Kosovës ka qenë dhe do të jetë me boshnjakët e Bosnjë e Hercegovinës gjatë gjithë këtyre viteve.
Edhe deputetja nga radhët e minoritetetit boshnjak në Kuvend, Balje, theksoi se mohimi sistematik i gjenocidit të Srebrenicës dhe festimi i aktorëve kryesorë dhe atyre që urdhëruan gjenocidin ka vazhduar për 28 vjet.
Ajo tha se shamia e gjelbër me lulen e Srebrenicës, e cila u vendos në foltoren e parlamentit, ka 11 pika ari që përfaqësojnë 11 korrikun dhe është i bardhë, që simbolizon pafajësinë, ndërsa ngjyra e gjelbër në mes përfaqëson shpresën që diçka e tillë mos të ndodhë më kurrë.
Para dy vitesh Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë.
Të martën, më 11 korrik, shënohet 28-vjetori i gjenocid t në Srebrenicë. Kujtojmë se më shumë se 8.000 meshkuj muslimanë boshnjakë u vranë në Srebrenicë pasi forcat serbe sulmuan “zonën e sigurt” të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht pranisë së trupave holandeze të ngarkuara për të vepruar si paqeruajtës ndërkombëtarë.