Kryeministri i Qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka uruar Komunën e Ulqinit për ditën e komunës.
“Jemi të lumtur që kemi ndërmarrë aktivitete me forca të përbashkëta për të ruajtur burimet me rëndësi strategjike komunale dhe shtetërore, si Kriporja, Valdanosi dhe Ada e Bunës, por edhe për të dalë nga hiri i simboleve të dikurshme të qytetit, hotelet Jadran, Galeb dhe Mediteran. Me këtë besoj se kemi treguar se Mali i Zi dhe Ulqini janë në rrugën e duhur”, ka thënë Abazoviq në urimin e tij.
Në këtë kontekst, Abazoviq shtoi se ndërtimi i urës mbi lumin Buna në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë do të jetë një kontribut kapital në përmirësimin e ofertës turistike, sepse, siç shprehet Abazoviq, Ulqini ka bukuri të jashtëzakonshme natyrore, dhe ka të gjitha predispozitat për të qenë një qendër e turizmit të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit, veçanërisht me valorizimin e mëtejshëm të Plazhës së Madhe.
Kryeministri theksoi se Qeveria e kryesuar nga ai do të mbetet partner kredibil në realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore që do të përmirësojnë furnizimin me ujë, do të mundësojnë trajtimin e ujërave të zeza dhe do të zgjerojnë kapacitetet e sistemit të kujdesit shëndetësor, në të mirë të banorëve të Ulqinit.
“Kam besim në ecurinë e mëtutjeshme të Ulqinit, shfrytëzoj rastin që edhe një herë t’ju uroj nga zemra Ditën e Komunës”, ka përfunduar Abazoviq.
Ulqini gjithmonë ka qenë një qytet që ka mbledhur pjesëtarë të të gjitha kombeve dhe feve dhe ka shërbyer si shembull i ruajtjes së vlerave civilizuese të përjetshme me të cilat dallohet Mali i Zi, tha kryetarja e Kuvendit Danijela Gjuroviq.
Ajo ua ka uruar 1 Prillin – Ditën e Komunës së Ulqinit kryetarëve të Komunës dhe Kuvendit të Komunës, Omer Barjaktari dhe Ardijan Mavriq, këshilltarëve dhe të gjithë qytetarëve.
Gjuroviq theksoi se Ulqini është një nga simbolet e harmonisë multietnike, multikulturore dhe multikonfesionale.
“Ulqini ka qenë gjithmonë një qytet që ka mbledhur pjesëtarë të të gjitha kombeve dhe feve dhe ka shërbyer si shembull i ruajtjes së vlerave civilizuese të përjetshme me të cilat vendi ynë njihet në rajon dhe Evropë”, thuhet në urim.
Sipas Gjuroviq, qyteti i lashtë mesdhetar, i pasur me burime natyrore, trashëgimi kulturore dhe historike dhe potencial ekonomik, mund të jetë destinacioni kryesor turistik i Malit të Zi, për krenarinë e të gjithë vendit.
“Për këtë është e nevojshme të punohet aktivisht dhe me përkushtim për të promovuar dhe ruajtur Pllazhen e Madhe dhe Adën e Bunës si lokacionet turistike më tërheqëse në këtë pjesë të Adriatikut dhe për të tërhequr investitorë të njohur që do të sjellin me vete markat e mëdha të hoteleve,” vlerësoi Gjuroviq.
Ajo tha se Ulqini me njerëzit dhe kapacitetet e tij ka vend dhe rol të rëndësishëm në ndërtimin e Malit të Zi modern, i cili është lider në procesin e integrimeve evropiane, fqinj i besueshëm dhe faktor i rëndësishëm i stabilitetit rajonal.
“Jam i sigurt se administrata e re lokale në bashkëpunim me Qeverinë do të gjurmojë drejtimet e progresit, baza e të cilave do të jetë shfrytëzimi adekuat i resurseve të mëdha që disponon Ulqini, për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe shtëpinë tonë të përbashkët të Malit të Zi”, përfundoi Gjuroviq.
Ulqini, përmes realizimit të projekteve të planifikuara infrastrukturore dhe ekonomike, duhet të pozicionohet edhe më i njohur në hartën e destinacioneve prestigjioze mesdhetare, turistike dhe investive, ka paralajmëruar presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Ai ia uroi Ditën e Komunës së Ulqinit kryetarit të saj Omer Barjaktari, kryetarit të Kuvendit të Komunës Adrijan Mavriq, këshilltarëve dhe të gjithë qytetarëve të Ulqinit me urime për punë të suksesshme të mëtutjeshme.
“Ulqini, një thesar i pasurisë shekullore të diversitetit të kulturave dhe qytetërimeve, u ndërtua mbi themelet e vlerave të përjetshme të multikulturalizmit dhe multikonfesionalizmit. Sot Ulqini me pasurinë e tij materiale dhe jomateriale paraqet një adresë të njohur dhe të rëndësishme ku vlerësohet trashëgimia kulturore dhe historike, qytet me të cilin Mali i Zi ynë modern mund të prezantohet me krenari”, tha Gjukanoviq.
Siç njofton Shërbimi Informativ i Presidentit, Gjukanoviq ka thënë se Ulqini, i cili është unik në pamjet e tij, duke shfrytëzuar me mençuri resurset njerëzore dhe potencialet natyrore, si dhe përfitimet e periudhës së re të begatë, deri më tani ka përcjellë zhvillimin e përgjithshëm të Malit të Zi.
“Resurset e pashtershme të komunës më jugore të Malit të Zi janë më shumë arsye për optimizëm se me realizimin e projekteve të planifikuara infrastrukturore dhe ekonomike, Ulqini do të jetë edhe më i njohur në hartën e destinacioneve prestigjioze turistike dhe investive mesdhetare”, shtoi Gjukanoviq.
Ai deklaroi se është i bindur se lidershipi vendor do të përfitojë nga përvojat e mira dhe do të kontribuojë në realizimin e mëtejshëm të progresit ekonomik dhe social të Ulqinit.
Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj ka uruar ditën e Komunës së Ulqinit.
“Ulqini, si një nga vendet me plazhet më të bukura të detit Adriatik, ka potenciale të panumërta që mund ta bëjnë këtë komunë një nga destinacionet e preferuara turistike evropiane. Ullinjtë shekullorë, burimet e pasura natyrore i japin komunës suaj një shije të vërtetë evropiane dhe mesdhetare dhe bukurinë e perlës më të vlefshme,” theksoi Dukaj.
Sipas tij, Ulqini shquhet për harmoninë e tij multietnike dhe fetare, si dhe për aktivitete të shumta kulturore, artistike, sportive, arsimore dhe shkencore.
“Jam më se i bindur se valorizimi i të gjitha resurseve të përmendura do ta bëjë Ulqinin një nga pikat e preferuara turistike, kulturore dhe zhvillimore të Malit të Zi. Ministria e Administratës Publike vazhdon të mbështesë Komunën e Ulqinit në fushën e reformës së administratës publike me fokus në digjitalizimin, shërbimet elektronike dhe ofrimin efikas të shërbimeve për qytetarët. Me bindjen e qartë se Ulqini do të vazhdojë zhvillimin e vetë në vazhdimësi, ju uroj edhe një herë Ditën e Komunës,” thuhet në urimin e ministrit Dukaj.