GJERMANIA MIRATON PROJEKTLIGJIN E EMIGRACIONIT, MERR 50 MIJË PUNËTORË NGA BALLKANI

Qeveria gjermane i dha dritën jeshile projektligjit të ri të emigracionit, i cili parashikon ndër të tjera dyfishimin e numrit të punëtorëve të pakualifikuar nga Ballkani Perëndimor që mund të pranohen në këtë vend.

Ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil, shpjegoi se ky kontingjent do të dyfishohet nga 25.000 që është aktualisht në maksimumi 50 mijë vetë në vit.

Planet janë megjithatë që kjo rregullore, të zgjerohet edhe për vende të tjera. Rregullorja e Ballkanit Perëndimor ekziston që nga viti 2015 dhe u mundëson shtetasve të gjashtë vendeve të BP Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës, pavarësisht nga kualifikimi që kanë. Parakusht për të marrë vizën e punës është një kontratë pune e rregullt në Gjermani. Nuk nevojiten as njohuri të veçanta të gjuhës gjermane.

Rregullorja e Ballkanit Perëndimor është në fuqi deri në fund të vitit 2023, por në draftin e ri të ligjit të emigracionit është parashikuar që ajo të bëhet pa afat. Të përballura me një mungesë therëse të fuqisë punëtore, duket se mjaft biznese vendase e mbështesin planin e ri të qeverisë. Mungesa e kualifikimit nuk përbën shqetësimin, sepse trajnimet i ofrojnë vetë.

Sipas ministrit Heil të huajve nga vendet e treta do t’u ofrohen tri mënyra për të ardhur në Gjermani: nëpërmjet kualifikimit, përvojës së punës dhe sistemit të pikëve. E para  ekzistonte edhe me parë, por drafti i ri i koalicionit të qendrës së majtë ka bërë disa lehtësime: Kështu për shembull, është ulur paga minimale vjetore që nevojitet për të marrë kartat blu. Për momentin ajo është 49.581 euro, duke përbërë kështu 1,25-fishin e pagës vjetore mesatare bruto në Gjermani. Për të rinj dhe me më pak përvojë madje nën 40 mijë euro.

Veç kësaj, kush ka mbaruar një shkollë të lartë ose një shkollë profesionale të paktën dyvjeçare, ka të drejtë të vijë për të kërkuar punë në Gjermani, edhe pa e bërë njohjen e kualifikimit qysh në vendlindje.

SHARE