Në Prishtinë është mbajtur edicioni i 10-të i Javës së Gruas me temën kryesore “Barabarësia: Parakusht për Ripërtëritje të Demokracisë“.
Në konferencën e organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) morën pjesë krerë të institucioneve të larta në Kosovë, krerë të institucioneve ndërkombëtare në vend, përfaqësues të organizatave që merren me të drejtat e grave dhe qytetarë.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, pjesa dërrmuese e të cilëve ishin gra, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se diversiteti, barazia dhe gjithepërfshirja qëndrojnë në themelet e demokracisë.
Presidentja Osmani tha se Kosova mbetet lider në rajon dhe më gjerë me dy gra presidente në historinë e saj të re dhe një parlamentare që shkon përtej kuotës gjinore dhe një Qeveri me gra më shumë se kurrë më parë. “
Çdo ditë e më shumë po bëhet gjithnjë e më e qartë se kur gratë udhëheqin, kur grave u dëgjohet zëri, kur gratë përfshihen në politikbërje dhe vendimmarrje rezultatet janë konkrete e progresi është i pashmangshëm”, theksoi Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nuk mund të ketë demokraci pa barazi gjinore dhe po ashtu nuk mund të ketë barazi shoqërore pa barazi gjinore.
Sa i përket situatës në Kosovë me barazi gjinore, Kurti tha se ai është duke u përmirësuar dhe përmirësimi është më i shpejtë se kurdoherë më parë, por, pjesa kryesore ku duhet të përqëndrohet shoqëria në barazinë gjinore është në zonat të cilat nuk janë urbane.
Kurti po ashtu përmendi edhe pasojat e luftës së fundit të vitit 1999 në shoqërinë kosovare si një element që kërkon trajtim për kultivimin e duhur të solidaritetit gjinor.
“Tjetra është një trajtim më i thellë i pasojave të luftës. Unë besoj që në njëfarë mënyre, edhe ne që kemi shpëtuar, nuk kemi shpëtuar. Sepse përvojat tona janë deponuar. Dhe nëse nuk ka trajtim ky deponim i përvojave të hidhura gjatë luftës nëpër familjet tona, atëherë mund të kemi edhe dukuri të cilat na çudisin të gjithëve apo edhe shkelje të ndryshme të ligjit deri tek krimet e rënda”, theksoi Kurti duke shtuar se si shoqëri beson se duhet bërë një trajtim më të thellë socio-kulturor të përvojave të kaluara.
Ai tha se në vitet e 80-ta dhe vitet e 90-ta më shumë se gjysma e popullsisë në Kosovë në një formë ose tjetër kanë kaluar nëpër duart e forcave policore, ushtarake e paramilitare të Serbisë dhe këto dy dekada “janë përplot trauma të patrajtuara”.