Salca e domates është baza e shumë recetave të gatimit të amvisave shqiptare.
Në shumicën e rasteve, amvisat e blejnë të gatshme në paketime të ndryshme, qelqi, plastike e metali.
Megjithatë, ka amvisa të cilat e ndjekin me devotshmëri traditën e përgatitjes së salcës së domates në shtëpi dhe ruajtjen e saj për përdorim të vazhdueshëm gjatë gjithë vitit.
Për përgatitjen e një salce të tillë të nevojitet pak kohë, por salca e bërë vetë do t’u japë një shije më të thellë dhe të këndshme gatimeve tuaja.
Si të Zgjidhni Domatet e Duhura
Përgatitja e salcës së domates duhet të nisë me përzgjedhjen e saj.
Nëse ju përdorni domaten zemërkau, do të mund të merrni pak salcë.
Nëse zgjidhni domate të tjera, më të kuqe dhe më me shumë tul e lëng do të përfitoni më shumë salcë.
Për shembull, me 7 kg e gjysmë domate do të përfitoni rreth 9 kavanozë të vegjël me salcë.
Si të Përgatisni Salcën e Domates së Zier në Shtëpi
RSalca e domates e bërë në shtëpi funksionon më së miri për të gjitha gatimet tradicionale, supa, pikante apo të pjekura.
Megjithatë pjekja i jep domates një shije dhe aromë më intensive sidomos nëse kombinohet me një omletë me spinaq ose me gjizë në një panine të shijshme.
Recetat për salcën e domates janë të larmishme.
Por në këtë artikull do të mësoni recetën më të thjeshtë që ekziston, që ka të bëjë vetëm me zierjen e domates.
Në fillim duhet të lani domatet një e nga një me ujë të bollshëm.
Thajini dhe qërojini lëkurat e tyre.
Më pas domatet copëtojini me thikë dhe ndajini mënjanë.
Hiqni sa më shumë fara dhe lëng.
Ndizeni furrën në 100°C.
Lajini kavanozët që do të përdorni dhe futini në furrë të thahen dhe sterilizohen për 30 minuta.
Në të njëjtën kohë, nisni përgatitjen e salcës.
Vendoseni tenxheren në zjarr dhe hidhni copat e domateve.
Shtoni dy lugë gjelle kripë dhe lërini të ziejnë deri sa pjesa dërrmuese e lëngut të ketë avulluar.
Përziejini herë pas here që domatja të mos ngjitet në tenxhere.
Menjëherë sapo të ketë avulluar lëngu, domatet e ziera hidhini në kavanozë.
Mbylleni kapakun menjëherë dhe kavanozët futini në një vend të freskët e të errët, ose edhe në frigorifer./AgroWeb.org