Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski si dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama janë shprehur të zhgënjyer me Bashkimin Evropian pas përfundimit të samitit që u mbajt në Bruksel të enjten. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndonëse i kanë përmbushur të gjitha kushtet, nuk i kanë nisur ende negociatat për pranim si kandidatë në BE, për shkak të vetos bullgare. Bullgaria e ka bllokuar procesin e integrimeve për Maqedoninë e Veriut për shkak të kontestit mes dy vendeve për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike. Kovaçevski të enjten tha se ka refuzuar propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë. “Falënderoj presidentin Macron për angazhimin, por që propozimi të jetë pranueshëm duhet të garantojë disa çështje thelbësore, për gjuhën dhe identitetin maqedonas”, ka deklaruar Kovaçevski në një konferencë të përbashkët me Ramën dhe presidentin Serb, Aleksandar Vuçiq. Në konferencën pas samitit të BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor, Kovaçevski tha se ka shprehur pakënaqësinë me dinamikën e negociatave të pranimit. “Çfarë ka ndodhur tani është një goditje ndaj kredibilitetit të BE-së”, tha ai. Pakënaqësinë me mos përparimin në rrugën për anëtarësim në BE e shprehu edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. “Më lejoni të shpreh keqardhjen time për BE-në, më vjen keq për ta, shpresoj që mund të ndihmojmë”, tha ai. Ai tha se nuk ka shpresuar në shumë progres në këtë çështje para ardhjes në samit. “Ne kemi shumë për të bërë. Derisa ne vazhdojmë në rrugën tonë evropiane shpresojmë se në shekullin e ardhshëm do të jemi anëtarë”, tha Rama. Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, vendi i të cilit zyrtarisht ka hapur bisedimet për anëtarësim në BE që nga janari i vitit 2014, tha se Shkupi dhe Tirana merituan hapjen e bisedimeve. Siç theksoi ai, hapja e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk është lutje, por është diçka që është domoshmëri pasi dy vendet kanë përmbushur kushtet. Ai beri thirrje për më shumë bashkëpunim rajonal, duke përmendur edhe iniciativën “Open Balkan”, për të cilën tha se është një iniciativë e tre vendeve ballkanike.