CENSUSI NË MAQEDONINË VERIORE, SHQIPTARËT 1/3 E POPULLATËS, 22% VETËM NË SHKUP

Pas 20 vitesh, Maqedonia e Veriut realizoi regjistrimin e popullatës përmes një metodologjie të re të Eurostatit dhe me teknologji të re në mënyrë elektronike, pavarësisht të gjithë debateve politike, sic tha zv/kryeministrit Artan Grubi, pengesave të vazhdueshme e sfidave jo të vogla. Procesi konsiderohet një sukses, pavarësisht faktit që ka edhe qytetarë të cilët nuk janë regjistruar, por një gjë e tillë konsiderohet e zakonshme nga EuroStat. Shifrat tregojnë se në popullatën e përgjithshme të vendit tonë fqinj, ku maqedonasit janë në nivelin 54,21%, shqiptarët zënë 29.5%. 24.3% është numri i tyre në popullsinë rezidente, dhe 22.8% në kryeqytetin Shkup. Kur vjen fjala tek popullsia jorezidente, shqiptarët rezultojnë ata që emigrojnë më shumë, 66.36% krahasuar me 24.45% që janë maqedonasit. Përplasjet mes plartive politike kishin nisur që tre ditë përpara se të publikoheshin rezultatet e Regjistrimit të Popullsisë, e përpara disa ditësh lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski e kritikoi qeverinë e LSDM dhe BDI, duke thënë se deputetë dhe ministra socialdemokratë, jane robër të Bashkimit Demokratik për Integrim. Kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti u fokusua sot tek fakti që sic tha ai, vendi tani, pas dy dekadash ka një pasqyrë më të qartë sa i përket numrit të përgjithshëm të popullësisë dhe përqindjes së komuniteteve në vend. “Përgëzoj të gjitha institucionet që ishin të përfshira dhe ndihmuan Regjistrimin si proces që filloi në muajin Mars të vitit të kaluar me diasporën e vendit e që përfundoi në Shtator me regjistrimin e popullatës, proces dhe sfidë aspak e lehtë por që ia dolëm ta përfundojmë me sukses”, ka shkruar ai në Facebook. VMRO-DPMNE-ja pretendonte se regjistrimi nuk është proces statistikor por politik, duke akuzuar partitë në pushtet për kurdisjen e rezultatit sa i përket përqindjes së popullatës, në veçanti asaj shqiptare. Ajo madje pati siguruar vitin që shkoi 100.000 firma kundër procesit të regjistrimit të popullsisë.

SHARE