Bernard Çobaj: Streetfighting men (1)

Mërgimi është çuditërisht tërheqës për tu menduar, por i tmerrshëm për t’u përjetuar. Paraqet  përçarjen e pashërueshme të detyruar midis një qenieje njerëzore dhe një vendi të lindjes, midis vetes dhe shtëpisë së tij të vërtetë: trishtimi i tij thelbësor nuk mund të kapërcehet kurrë. Ndërsa është e vërtetë që letërsia dhe historia përmbajnë episode heroike, romantike, të lavdishme, madje edhe triumfuese në jetën e një mërgimtari, këto nuk janë gjë tjetër përveçse përpjekje për të kapërcyer trishtimin e gjymtë të largimit. Arritjet e mërgimit gërryhen nga humbja e asaj që përgjithmonë është lënë pas.

Refleksionet mbi Mërgimin – Eduard Said

Në shkrimin përmbyllës të Universit Malufian përmendëm dy akademikë që u ulën në karrigien që tani mban emrin e Amin Malufit: Levi-Shtrosin dhe Ernest Renanin.

Renani ishte lexues i pasionuar i Kantit, Hegelit, studiues i zjarrtë i gjuhëve dhe civilizimeve semitike. Ai e mbrojti doktoratën me temën Mbi Averoesin dhe averoizmin (Ibn Ruzhd, i njohur si Averoes (1126-1198), filozof andaluzian-arab, teolog dhe përkthyes i veprave të Aristotelit, ka qenë mjeshtër i filozofisë së Aristotelit, i filozofisë së islamit, teologjisë islame, drejtësisë islame, logjikës, mjekësisë, gjeografisë, fizikës, psikologjisë, matematikës, politikës, etj.)

Renani pastaj ka botuar librin Jeta e Jezusit, që nxiti përplasje të mëdha dhe ndikoi që Renani të etiketohej si armik i madh i qarqeve klerike. Përveç përplasjeve që ka krijuar në trajtimin e figurës së Jezusit, Renani njihet si babai i teorisë së kombit. Pas luftës franko-prusiane të 1870/71, në vitin e shumë lëvizjeve kombëtare dhe formimit të identitetit të kombeve dhe shteteve kombëtare evropiane dhe krijimit të nacionalizmave të ndryshme, nga patriotizmi deri tek nacionalizmat agresivë, ai u përpoq t’i përgjigjet pyetjes: çfarë është një komb?

Në ligjëratën e tij të njohur të vitit 1882 në Sorbonë “Çfarë është kombi” (Qu’est-ce qu-une nation?), Renani shprehet:

…kjo konsideratë ekskluzive për gjuhën, ashtu si dhe vëmendja e tepruar ndaj racës, ka rreziqet e saj, si dhe të metat e papërshtatshmëritë e veta. Kur pranon ekzagjerime të tilla dhe mbyllesh brenda një kulture të përcaktuar, të konsideruar si kombëtare, veçse kufizohesh, mbyllesh ndaj të tjerëve. Ikën, i largohesh ajrit dehës, që thithet në fushën e pafundme të njerëzimit, për t’u mbyllur në puritanizmin e bashkatdhetarëve. Nuk ka asgjë më të keqe për shpirtin, për mendjen: nuk ka asgjë më shqetësuese, më të turpshme për qytetërimin. Nuk duhet hequr dorë nga parimi themelor mbi njeriun që, njeriu para se të lidhet me një gjuhë apo një tjetër, para se ai të jetë pjesëtar i kësaj apo asaj race, aderues i kësaj apo asaj kulture, ai është një qenie e arsyeshme dhe morale. Para një kulture franceze, asaj gjermane apo kulturës italiane, ekziston një kulturë njerëzore. Shihni njerëzit e mëdhenj të Rilindjes, ata nuk ishin as francezë, as italianë, as gjermanë. Nëpërmjet ndërveprimit me periudhën antike, ata gjetën përsëri sekretin e edukimit të vërtetë të mendjes njerëzore, me një përkushtim të veçantë me shpirt e trup. Një arritje e madhe kjo e tyre!

Nuk është fakti që njerëzit flasin të njëjtën gjuhë ose i përkasin të njëjtit grup etnik që e bën një komb, por ata kanë bërë gjëra të mëdha së bashku në të kaluarën dhe duan të bëjnë shumë të tjera në të ardhmen.   

Madje nuk ka vepër lidhur me çështjen e identitetit kombëtar apo mbi teorinë e kombit pa u referuar tek Renani. Ai në mënyrë intelektuale u tregua i fortë kur nuk ra pre e fushatës nacional-shoviniste kundër gjermanëve pas konfliktit francez-gjerman. Qasjet e Renanin janë universale por eurocentrike. Gjerësinë intelektuale e mjegullon në pasqyrimet e veta për botën orientale, sidomos në ligjëratën e vitit 1883, Islami dhe shkenca.

Si rezultat, Jamal al-din al-Afghani, një reformator i madh i mendimit islam i kohës së vet, shkroi një përgjigje të fuqishme ndaj ligjëratës së Renanit, ku ky i dyti pohoi se islami e pengon përparimin shkencor. Sikur Renani, ashtu dhe al-Afghani ishte për racionalizimin e fesë dhe shpjegimin shkencor të saj, duke e pastruar  nga dogmat, të cilat sipas tyre nuk ishin në pajtim me rrjedhat racionale e empirike të kohës dhe pengonin zhvillimin kulturor dhe intelektual. Renani, thënë në mënyrë të thjeshtuar, mendonte se gjuha apo kombësia (raca) arabe e pengojnë zhvillimin shkencor në kuadër të besimit islam.

Ata pastaj, në shkëmbimet e tyre, gjeten shumë pika të përbashkëta në dëshirën për të pajtuar religjionin me shkencë. Më tepër, për debatin mund të gjeni KËTU por ka edhe shumë burime tjera onlajn.

Renani (si teoricien i religjionit dhe studiues i gjuhëve semitike) vlen si një ndër studiuesit e mëdhenj që sistematizuan praktikën akademike lidhur me fushën e orientalizmit. Si i tillë, si dhe për shkak të qëndrimeve të tija për botën orientale, ai do jetë objekt studimi e kritike në një ndër veprat më të mëdha të historisë intelektuale që ende është frymëzim për debate anembanë globit.

Orientalizmi i Eduard Saidit (Orientalism, 1978) është një nga librat më me ndikim në historinë intelektuale pas Luftës së Dytë Botërore. Është gjithashtu një nga më të keqkuptuarat. Shpesh gabimisht mendohet se është një libër për Lindjen e Mesme; në fakt, është një studim i ideve perëndimore për botën arabe-islame, ide që Said, duke ndjekur gjurmët e poetit William Blake, i quan “pranga të farkëtuara nga mendja”. 

Saidi nëpërmes shkrimit të tij donte të hapte një debat për mënyrën se si Perëndimi e imagjinonte dikur botën arabe-islame dhe jo të parandalonte një përballje të matur me problemet e atij rajoni, për të cilat kishte vetëdije të qartë.

Një gjë tjetër për të cilën duhet të jemi të qartë, është se idetë, kulturat dhe historitë nuk mund të studiohen, ose kuptohen seriozisht pa njohur limitet e kapaciteteve të tyre. Të besosh që Orienti është i krijuar, ose siç unë e quaj “orientalizuar” dhe të besosh se kjo që  ka ndodhur është thjesht një nevojë e imagjinatës, është mungesë e madhe sinqeriteti. Lidhja që ekziston ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, është një lidhje force e dominimi e një hegjemoni komplekse në gradë të ndryshme– Said në Orientalizëm.

Tema  e supremacionit të një civilizimi ndaj atij tjetrit, një kulture ndaj kulturës tjetër është objekt debati ndër shekuj – temë të cilën e ka pasur objekt synimi edhe Levi-Shtrosi i sipërpërmendur.

Orientalizmi i Saidit ishte vetëm shembulli i fundit i një tradite. Në fakt, kritika ndaj orientalizmit është po aq e vjetër sa edhe vetë orientalizmi.

Për mua” rrëfente teoricieni social indian Partha Chatterjee, “orientalizmi ishte një libër që fliste për gjëra që ndjeja se i dija gjithmonë, por nuk gjeta kurrë një gjuhë për t’i artikuluar… Dukej se ishte sikur për herë të parë thotë atë që kam dashur të them gjithmonë”.

Said ka punuar 40 vite në Universitetin Kolumbia të Nju Jorkut, ku sot ligjëron fituesi i çmimit Nobel, Orhan Pamuku (që nuk ka arsim formal – studimet e arkitekturës dhe gazetarisë kurrë nuk i përfundoi). Universiteti Kolumbia është një ndër vendet e rralla të lira ku mund të hulumtohet madje në kuptim utopian dhe ku plotësisht nderohet liria e mendimit dhe e shprehjes.

Në një nga intervistat e fundit Said tha se vetëm njerëzit që njohin kulturën dhe gjuhën e Lindjes dhe Perëndimit mund të jenë ura e mirëkuptimit. Kjo urë u bë Amin Malufi, veprimtarinë e të cilit e lëvruam dhe autori më herët i përmendur Tarik Ali, i cili në Kuintetin Islamik komplementon shkrimet e Malufit. Burim inspirimi dhe përkrahje të madhe në shkrimin e novelave të tij, Tarik Aliu gjeti pikërisht nga Eduard Saidi.

Eduard Saidin, Tarik Aliun dhe Amin Malufin i lidh eksperienca e mërgimit dhe fakti se kanë mbrojtur dhe mbrojnë parimet universale humaniste nga pozitat laikë (shekullarë), si intelektualë të botës lindore në kryeqytetet e mëdha Perëndimore siç janë Nju Jorku, Londra dhe Parisi.

Në shkrimet e ardhshme fokusi do jetë tek Saidi – akademiku, aktivisti politik dhe kritiku letrar palestinez-amerikan, i cili shqyrtoi letërsinë në kontekstin e politikave sociale dhe kulturore dhe ishte një përkrahës i hapur i të drejtave politike të popullit palestinez dhe krijimit të një shteti të pavarur palestinez. Si Malufi, edhe Said vjen nga komuniteti i pakicës krishtere, nga krishterët anglikan (Kisha episkopale). Shkrimet e Saidit janë burim ku ushqehen intelektat e Tarik Aliut dhe Amin Malufit, si dhe të shumë intelektualëve të mëdhenj botërorë.

Në vitin 1968, The Rolling Stones publikojnë këngën Street Fighting Man, kushtuar Tarik Aliut dhe protestave studentore kundër luftës në Vietnam. Titulli i tekstit me qëllim është Men, pasi këtu, po ashtu, i referohemi edhe Edward Saidit.

SHARE