SOT FESTOHET 119-VJETORI I VENDOSJES SË PARLAMENTARIZMIT

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupstina Crne Gore

Në Kuvendin e Malit të Zi u shënua sot 119-vjetori i vendosjes së parlamentarizmit.

Me këtë rast, kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, theksoi rëndësinë e trashëgimisë demokratike që daton nga Kushtetuta e vitit 1905 dhe seanca e parë parlamentare e mbajtur më 31 tetor 1906.

Ai nënvizoi se kjo ngjarje është mundësi për të riafirmuar vlerat themelore të shtetit – paqen, stabilitetin dhe unitetin.

Mandiq deklaroi se Kuvendi ka kontribuar në përparimin e procesit të integrimit evropian dhe shprehu bindjen se deri në fund të vitit do të plotësohen kushtet për mbylljen e kapitujve të rinj të negociatave me BE-në.

Ai bëri thirrje për bashkëpunim mes të gjitha subjekteve politike dhe ruajtjen e stabilitetit si kusht për zhvillimin demokratik të vendit.

Për nder të festës, u organizuan aktivitetet “Dita e dyerve të hapura”, ku qytetarët, studentët dhe nxënësit vizituan ambientet e Kuvendit dhe u njohën me punën dhe historikun e tij.

Në holl u prezantuan dokumente origjinale historike nga viti 1906. Kuvendi falënderoi qytetarët për pjesëmarrje dhe theksoi se mbetet i përkushtuar transparencës dhe ruajtjes së vlerave demokratike.

SHARE