RAPORTUESI I PE-së, SCHIEDER: SHQIPËRIA PO NDËRMERR NDRYSHIME SHUMË TË MËDHA

Raportuesi për Shqipërinë i Parlamentit Evropian (PE), eurodeputeti Andreas Schieder, ka deklaruar se Shqipëria po ndërmerr ndryshime shumë të mëdha, raporton Anadolu.

Eurodeputeti Schieder mbajti një konferencë për mediat me fokus rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe çështje të tjera.

Ai theksoi se gjatë vizitës në Shqipëri ka patur diskutime intensive me zyrtarët shqiptarë dhe përfaqësues të partive parlamentare.

Schieder theksoi se Shqipëria është një vend me 90 për qind apo më shumë qytetarë pro evropianë.

“Shqipëria po ndërmerr ndryshime shumë të mëdha. Unë do të thoja që në Evropë, Shqipëria është vendi që këto 30 vitet e fundit ka ndërmarrë shumë ndryshime. Besoj se kjo është ajo frymë që u jep të gjithëve mundësinë që të pranojnë këtë ndryshim për t’u futur në sistemin evropian”, tha Schieder.

Schieder theksoi ndër të tjera se zgjerimi i Bashkimit Evropian praqet edhe disa mundësi dhe shtoi se po bëjnë përpjekje që procesi i zgjerimit të jetë i suksesshëm.

“Sfidat me të cilat përballet Shqipëria përfshijnë sigurisht luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar dhe të pasurit e një sistemi gjyqësor funksional. Rruga që ka ndërmarrë Shqipëria është rruga e duhur dhe thjesht duhet të vazhdojmë të ecim në atë rrugë dhe kjo do të thotë të zbatojmë reformat”, tha ai.

Ai u shpreh se nga ana teknike ka mundësi që në nëntor të hapet kapitulli i fundit për negociatat anëtarësimit në BE “që do të thotë që Shqipëria të jetë duke negociuar të gjithë kapitujt”.

Schieder vizitoi Shqipërinë në kuadër të takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian, që u mbajt në datat 28-29 tetor.

SHARE