SHQIPËRIA NË BE NË VITIN 2030 ËSHTË NJË PROJEKT AMBICIOZ

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeparlamentarja Elisa Spiropali dhe kryeministri Edi Rama, kanë pritur sot në takime të ndara ambasadorin e Bashkimit Evropian (BE) në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili dorëzoi zyrtarisht raportin e progresit për Shqipërinë.

Në konferencën e mbajtur pas takimit në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë, kryeministri Rama theksoi se ky është raporti më pozitiv i gjithë këtyre viteve, i cili rikonfirmon sipas tij përparimin e bërë nga Shqipëria.

“Më vjen shumë mirë që ne sot marrim një raport shumë pozitiv, raporti më pozitiv i të gjithë këtyre viteve dhe normalisht i tillë sepse e tillë është edhe ecuria e vendit. Konferenca e dytë Ndërqeveritare afirmoi faktikisht njohjen nga të gjithë institucionet dhe vendet e Bashkimit Evropian të përparimit të bërë nga Shqipëria në përmbushjen e kushteve për këtë fazë të negociatave për anëtarësim”, tha Rama.

Rama shtoi se raporti është real dhe i balancuar dhe sipas tij siç njeh të gjitha përpjekjet e progresin e bërë, shënjon me përpikmëri dhe piketat për hapat që duhen bërë më tej.

Ambasadori Gonzato në konferencë tha se raporti për Shqipërinë i publikuar dje ofron orientim të rëndësishëm dhe rekomandimin se cilat janë masat që duhet të përcaktohen si përparësi vitin që vjen.

“Në paketën e zgjerimit miratuar dje nga KE vërehet angazhim i palëkundur i Shqipërisë drejt integrimit në BE si përparësia kyçe strategjike e vendit. Ai njeh plotësisht faktin që Shqipëria ruan bilancën e saj të harmonizimit të plotë me politikën e jashtme të sigurisë të BE-së dhe kjo vazhdon të përçojë një sinjal të fortë rreth zgjedhjes strategjike të BE-së, të interesimit në BE dhe të rolit të saj si një partnere e besueshme”, tha Gonzato.

Gonzato theksoi se Komisioni Evropian sheh një mundësi për Shqipërinë që të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në BE vitet e ardhshme.

– Zgjerimi i unionit në Ballkanin Perëndimor është rikthyer fuqishëm në agjendën politike të BE-së

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë, thuhet se Presidenti Begaj vlerësoi gjatë takimit si inkurajues faktin që zgjerimi i unionit në Ballkanin Perëndimor është rikthyer fuqishëm në agjendën politike të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë thuhet se Spiropali u shpreh se Shqipëria në BE në vitin 2030 është një projekt ambicioz.

SHARE