Vaji i ullirit është flori dhe nëse e bën në shtëpi vetë pa hile e mashtrime, është flori e shkuar floririt.
Sigurisht që prodhimi i sasive të mëdha të vajit të ullirit kërkon makineri të rënda dhe punë të vështirë, por nëse kërkon të bësh sasi të kufizuara për përdorim vetjak, atëherë shtëpia është pikënisja e duhur.
Mos mendoni se është diçka e lehtë! Tek e fundit, gjërat e mira nuk vijnë aq lehtë.
Me punë e përpjekje, vaji që do të prodhoni do të jetë i pastër dhe i një cilësie të pashoqe.
Përbërësit:
- 2.25 kg ullinj organikë të freskët
- 125-250 ml ujë të ngrohtë të filtruar.
Përgatitja e ullinjve
Zgjidhni ullinj të pjekur të zinj ose të papjekur mirë me ngjyrë të gjelbër.
Është e rëndësishme t’i merrni nga pema dhe jo të konservuar.
Vaji i nxjerrë nga ullinjtë e pjekur ka më shumë vlera shëndetësore dhe ata të papjekur.
Ullinjtë jeshilë të papjekur nxjerrin vaj me ngjyrë të gjelbër ndërsa ullinjtë e pjekur nxjerrin vaj me nuancë të artë.
Ullinjtë vendosini në një kullesë dhe shpëlajini me ujë të rrjedhshëm e të bollshëm.
Fërkojini mirë dhe hiqni degët, gjethet dhe çdo mbetje tjetër të akumuluar mes tyre.
Hiqini edhe bërthamat e ullinjve.
Kullojeni ujin dhe thajini ullinjtë me një napë të pastër.
Grirja e ullinjve
Futini ullinjtë në një enë të thellë dhe shtypini fort deri sa të formohet një pastë e trashë me kokrriza.
Ju mund të përdorni edhe një grirëse mishi metalike ose plastike duke qenë se ato të drurit përthithin një pjesë të mirë të lëngut.
Vajin do ta dalloni menjëherë teksa del në sipërfaqen e masës së ullinjve të bluar.
Masën e ullinjve hidheni në një ose disa enë qelqi por mos i mbushni plot.
Më pas në secilën prej tyre shtoni 2 ose tre lugë gjelle me ujë të nxehtë.
Përzijini gotat me një lugë dhe më pas lërini të qëndrojnë për pak minuta.
Uji duhet të jetë i nxehtë por jo i valuar.
Nxjerrja e vajit të ullirit
Përdorni një mikser për të grirë në imtësi pastën e ullinjve dhe do të vini re se vaji do të nisë të dalë në sipërfaqe.
Grirja duhet të vazhdojë për 5 minuta sepse nëse vazhdon më gjatë e ekspozon vajin ndaj oksidimit.
Me grirjen e vazhdueshme do të vini re se vaji do të ndahet nga masa kremoze.
Merrni një lugë dhe përziejeni masën në anën e akrepave të orës që të përshpejtoni nxjerrjen e vajit.
Më pas enën e grirjes mbulojeni me një napë të pastër ose me kapak për 5-10 minuta.
Më pas përdorni një napë të dyfishtë të pastër për të kulluar vajin.
Mbusheni napën herë pas here me masën e ullinjve të grirë duke përdorur lugë druri.
Lidheni dhe lëreni të kullojë për 30 minuta.
Çdo 5-10 minuta shtrëngojeni topthin e masës së ullinjve në napë që të nxjerrë më shumë vaj.
Masa e ullinjve ka nxjerrë të gjithë vajin kur të jetë tharë.
Ruajtja e vajit të ullirit
Më pas merrni një shiringë dhe përthithni shtresën e parë të vajit në sipërfaqe dhe hidheni lëngun në një enë tjetër qelqi.
Bëjeni këtë deri sa të merrni të gjithë vajin.
Për shkak të dendësisë, ndarja e vajit nga shtresat e lëngjeve të tjera të formuara gjatë këtij procesi duhet të ndodhë natyrshëm.
Përthithja vetëm e vajit pa lëngje të tjera kërkon pak praktikë por më pas bëhet më e lehtë.
Më pas transferojeni vajin me një hinkë në një shishe qelqi me ngjyrë të errët dhe mbylleni mirë me kapak.
Shishen vendoseni në një vend të freskët, të thatë dhe të errët.
Vajin e ullirit të bërë në shtëpi duhet ta përdorni 2-4 muaj nga prodhimi./AgroWeb.org