Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi se uria globale mund të rritet për shkak të pezullimit nga Rusia të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB-ja për të lejuar kalimin e sigurt për anijet që transportojnë grurë ukrainas. “Është shumë indinjuese“, tha zoti Biden të shtunën duke folur në Uilmington të shtetit të Delauerës të shtunën.Zoti Biden foli disa orë pasi Rusia njoftoi se do të ndalonte menjëherë pjesëmarrjen në marrëveshje, duke pretenduar se Ukraina ndërmori një sulm me dron të shtunën kundër anijeve të flotës ruse të Detit të Zi në brigjet e Krimesë së pushtuar. Ukraina e ka mohuar sulmin, duke thënë se Rusia ka goditur gabimisht me armët e veta. Marrëveshja për grurin që u nënshkrua në korrik ka bërë të mundur eksportin e sigurt nga portet ukrainase të më shumë se 9 milionë tonëve grurë me 397 anije.Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres është “thellësisht i shqetësuar” për pezullimin e marrëveshjes dhe shtyu udhëtimin e tij në Algjer për Takimin e Nivelit të Lartë të Lidhjes Arabe me një ditë për t’u marrë me këtë çështje, tha të dielën një zëdhënës i OKB-së.