GJUROVIQ: TË DETYRUAR TË FORCOJMË DEMOKRACINË DHE INSTITUCIONET

Gjenerata aktuale e politikanëve dhe shtetarëve malazezë ka për obligim që të forcojë demokracinë dhe institucionet dhe ta sjellë vendin në Bashkimin Evropian (BE), tha kryetarja e Kuvendit, Danijela Gjuroviq. Ajo sot me rastin e 116-vjetorit të themelimit të parlamentarizmit në Mal të Zi ka hapur një ekspozitë fotografike në sallën e Kuvendit. Gjuroviq tha se Kuvendi, përmes Punëtorive Demokratike “Barbara Pramer”, të cilat përfaqësojnë një program edukativ për fëmijët dhe të rinjtë e moshës së shkollës fillore, këmbëngul në misionin e tij për të përfshirë të rinjtë në procesin e marrjes së ligjeve dhe vendimeve të rëndësishme për shoqërinë. Gjuroviq kujtoi 31 tetorin e vitit 1906, kur u konstitua mbledhja e parë e Kuvendit. Ajo tha se Kushtetuta e parë e Malit të Zi nga viti 1905, e cila themeloi Asamblenë Kombëtare, vendosi të drejtën e një qytetari të Malit të Zi për të zgjedhur drejtpërdrejt një deputet, por edhe detyrimin e secilit deputet për të përfaqësuar të gjithë kombin. Ajo theksoi se sundimi i ligjit, ndërtimi i shtetit të së drejtës dhe forcimi i institucioneve janë një sfidë e veçantë për Malin e Zi. Gjuroviq theksoi se Mali i Zi përpiqet t’i arrijë këto synime, jo vetëm për shkak të anëtarësimit në BE, por edhe për shkak të qytetarëve të tij. “Përfaqësuesit e popullit nuk duhet të udhëhiqen nga interesat e tyre”, tha Gjuroviq, duke shtuar se ata duhet të kujdesen në radhë të parë për përmirësimin e standardeve dhe cilësisë së jetës së qytetarëve, e veçanërisht për gjeneratat që vijnë. Gjuroviq tha se Malin e Zi i presin ditë të ndritshme dhe u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë që të lënë anash interesat e ngushta partiake, populizmin dhe demagogjinë. „Dhe të bashkohemi në luftën për të mirën e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, e veçanërisht të fëmijëve, të cilëve duhet t’u lënë një shtet më të sigurt dhe më të rregullt”, thuhet në njoftim.

SHARE