NIMABEGU, ORGANIZOI TAKIM NË PARLAMENTIN E MZ, LIDHUR ME REFORMËN E SISTEMIT ZGJEDHOR NË MZ

Në kuadër të reformës zgjedhore në Mal të Zi, deputeti i Forcës së re Demokratike, Genci Nimanbegu, mbajti dje  takim në Parlamentin e Malit të Zi, me disa nga përfaqësuesit e Partive politike shqiptare dhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në MZ.

Në këtë  mbledhje morën pjesë Amir Hollaj, kryetar i Lëvizjes Qytetare Perspektiva, Saubih Mehmeti, përfaqësues i LDMZ-së, Mehmet Zenka, kryetar i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Nik Gjeloshaj, kryetar i Alternativës shqiptare, Nazif Cungu, kryetar i Forcës së Re Demokratike si dhe Faik Nika, kryetar i Këshillit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi.

Nimanbegu i njoftoi të pranishmit me Vendimin mbi themelimin e Grupit punues pranë Parlamentit, që do të merret me përmirësimin e ambientin zgjedhor në Mal të Zi.

Në këtë takim u vlerësua qe ligji aktual zgjedhor është diskriminues ndaj përfaqësimit autentik të shqiptarëve, që prej katër deputetëve sa kishin shqiptarët në vitin 2011 pas dy cikleve zgjedhore e zvogëloi numrin në një deputet të vetëm.

Siç kumtohet të pranishmit njëzëri përshëndetën nismën për takime dhe i dhanë përkrahje iniciativës e cila do te rezultojë me përmirësimin e marrëdhënieve në mes të partive politike shqiptare si kusht për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Mal te Zi, si dhe ju dha mbështetje përfaqësuesit ne Grupin e ardhshëm punues për reforma zgjedhore për prezantimin e kërkesave të shqiptarëve.

U vendos që medoemos të vazhdohet me takimet e subjekteve politike shqiptare dhe ngritjen e një forumi, i cili do të nisë hapat e përafrimit të politikës dhe qëndrimeve e të gjitha subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi.

Ndërkaq lidhur me këtë, dje  me anë të një deklaratë publike nga Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Partia Demokratike, kumtuan se refuzojnë ftesën e Genci Nimanbegut, për të biseduar lidhur me ligjin zgjedhor dhe thane se refuzojnë që ti ofrojnë legjitimitet  atij që ti përfaqësojnë partitë e tyre, listat e tyre zgjedhore dhe të gjithë ata që i kanë votuar  duke shtuar se lidhur me  iniciativat dhe propozimet që do të kenë rreth ligjeve zgjedhore dy listat e tyre zgjedhore do t’i drejtohen drejtpërdrejtë Grupit punues.

SHARE