OSMANI NË TAKIM ME KONGRESISTIN TURNER: KOSOVA, EDHE HISTORI SUKSESI E SHBA-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kongresistin Mike Turner, kryetar i Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së për Shërbimet e Inteligjencës.

Raportet me SHBA-në presidentja Osmani i ka cilësuar strategjike edhe ekzistenciale, ndaj ka falënderuar kongresistin Turner për mbështetjen ndër vite, të cilën ai ia ka dhënë Kosovës në rrugën e shtetndërtimit.

Në një komunikatë për media nga Presidenca pas takimit, thuhet se Osmani ka potencuar se shteti i Kosovës është edhe histori suksesi e SHBA-së.

“Përkushtimi i palëkundur i Shteteve të Bashkuara për kauzën e Kosovës ka qenë i domosdoshëm në rrugëtimin tonë drejt pavarësisë dhe shtetësisë”, ka theksuar presidentja Osmani.

Në takim me kongresistin Tuner, presidentja Osmani ka bërë të ditur se synimi i Kosovës është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si: NATO-ja, BE-ja, Këshilli i Evropës dhe të tjera.

Në raport me bashkëpunimin me SHBA-në, presidentja Osmani potencoi atë në sferën e mbrojtjes dhe sigurisë. Kësisoj, presidentja Osmani përmendi aspiratën e Kosovës për anëtarësim fillimisht në Partneritet për Paqe (PfP), e pastaj në NATO, ku mbështetja e SHBA-së është esenciale.

Mëtej, Osmani përmendi faktin se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka bashkëpunim të ngushtë me shërbimet inteligjente të SHBA-së në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë që mund ta cenojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon.

Ndërkaq në raport me situatën në veri të vendit, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtjesor në shtensionimin e situatës dhe se vazhdon të jetë palë konstruktive në këtë proces.

Por, ka theksuar obstruksionet e Serbisë, si dhe veprimet destabilizuese në veriun e Kosovës nëpërmjet bandave kriminale të dirigjuara nga Beogradi.

Ajo ripotencoi rëndësinë e zbatimit të plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.

SHARE