Foto: Komuna e Ulqinit / Opština Ulcinj
Komuna e Ulqinit është bërë e para komunë në Mal të Zi që ka miratuar zyrtarisht Kartën për Kohezionin Shoqëror, një dokument strategjik që dëshmon angazhimin e autoriteteve lokale për ndërtimin e një shoqërie më të hapur dhe të lidhur, bazuar në barazi dhe respekt.
Ky vendim erdhi si rezultat i një procesi gjithëpërfshirës dialogu me qytetarët, i mbështetur nga UNDP dhe programi “Së bashku për të mirën e përgjithshme”.
Përmes këtij dialogu u identifikuan prioritetet dhe sfidat, si dhe mënyrat për t’i adresuar ato. Karta synon të forcojë luftën kundër diskriminimit, të rrisë përfshirjen sociale dhe besimin mes qytetarëve dhe institucioneve, si dhe të përmirësojë shërbimet publike dhe infrastrukturën lokale.
Në praktikë, Karta po zbatohet përmes disa iniciativave qytetare, si projekti teatral “Teatri për ndryshim”, programi “Së bashku mësojmë, së bashku rritemi” për shkollën në natyrë, dhe adaptimi i hapësirave lojërave për fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe aktivitete për ruajtjen e traditës lokale dhe fuqizimin e grave.
Me miratimin e Kartës, Komuna e Ulqinit krijon një kornizë operacionale që udhëheq bashkëpunimin mes autoriteteve lokale, institucioneve publike, shoqërisë civile dhe qytetarëve drejt një bashkëjetese më të besueshme dhe gjithëpërfshirëse.