RËNIA E IMPORTEVE NDIHMON RRITJEN EKONOMIKE TË SHBA

Një rënie e ndjeshme e importeve, e nxitur nga politikat tarifore të presidentit Donald Trump, ka kontribuar në rritjen më të fortë se pritej të ekonomisë së Shteteve të Bashkuara gjatë tremujorit prill–qershor.

Sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, ekonomia më e madhe në botë u zgjerua me një ritëm vjetor prej 3%, pas një tkurrjeje në fillim të vitit, duke reflektuar ndryshimet në tregti dhe përpjekjet e bizneseve për të importuar mallra para hyrjes në fuqi të tarifave të reja.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo rritje nuk është domosdoshmërisht shenjë e një forcimi të qëndrueshëm ekonomik.

BBC raporton se presidenti Trump përdori këto të dhëna për të kritikuar kreun e Rezervës Federale, Jerome Powell, duke i bërë thirrje për veprim të menjëhershëm në uljen e normave të interesit dhe për stimulimin e konsumit.

“Shifrat janë shumë më të mira se pritshmëritë! ‘Tepër Vonë’ tani duhet të veprojë. S’ka inflacion! Le të blejnë njerëzit, le të rifinancojnë shtëpitë!”, deklaroi Trump.

Në anën tjetër, analistët theksojnë se të dhënat mund të japin arsye Rezervës Federale për të qëndruar e kujdesshme dhe për të pritur para ndryshimeve në politikën monetare.

Një indikator kyç, që mat shpenzimet dhe investimet e konsumatorëve, ka rënë nga 1.9% në 1.2%, duke sugjeruar për një ngadalësim më real të ritmit ekonomik.

“Nën sipërfaqe, ekonomia po ecën më ngadalë, por ende nuk është në rënie,” tha analisti Yaros.

SHARE