Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Parlamenti i Malit të Zi miratoi një sërë ligjesh të rëndësishme që synojnë rregullimin dhe përmirësimin e sektorëve ekonomik dhe bujqësor, duke përfshirë ndryshime në fushën e lojërave të fatit, politikat mbështetëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, si dhe në financimin e vetëqeverisjes lokale.
Sot, deputetët miratuan Ligjin për lojërat e fatit, i cili sjell një numër ndryshimesh të mëdha në këtë fushë, përfshirë heqjen e koncesioneve dhe kalimin në sistemin e dhënies së lejeve për organizatorët, rritjen me 50% të shumicës së taksave, vendosjen e taksave të reja, kufizimin e reklamimit dhe regjistrimin e lojtarëve. Ky ligj u miratua me 47 vota pro, pa asnjë kundër apo abstenim.
Gjithashtu u miratua edhe një konkluzion shoqërues nga Komisioni për ekonomi, financa dhe buxhet. Po ashtu, deputetët miratuan Ligjin për zbatimin e masave mbështetëse për politikat bujqësore, zhvillimin rural dhe peshkimin, si dhe Ligjin për shoqëritë tregtare.
Edhe pse deputetët e Demokratëve të Rinjtë Serbë paraqitën pesë amendamente për këtë ligj, asnjë prej tyre nuk u pranua, po ashtu nuk u pranua asnjë amendament nga Demokratët.
Në seancë u miratuan gjithashtu ndryshimet në Ligjin për ullinj dhe vajin e ullirit.
Deputetja e Partisë Boshnjake, Edina Deshiq, njoftoi se ata paraqitën dy amendamente lidhur me regjistrin e ullinjve dhe kushtet për regjistrim, si dhe lejen që pronarët e ullishtave të ndërtojnë shtëpi në to — të dyja këto amendamente morën mbështetje nga deputetët.
Në Kuvend u miratuan edhe ndryshimet në Ligjin për financimin e vetëqeverisjes lokale.