PARLAMENTI I MALIT TË ZI MIRATON NDRYSHIMET NË LIGJIN E PËRGJITHSHËM TË ARSIMIT

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Deputetët e Parlamentit të Malit të Zi miratuan sot ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit të Përgjithshëm për Arsim dhe Edukim, me të cilat për herë të parë përcaktohet qartë ndalimi i çdo forme të dhunës në institucionet arsimore dhe përcaktohet detyrimi për nisjen e procedurave administrative ose penale kundër autorëve.

Ndryshimet dhe plotësimet e ligjit u miratuan me 59 vota për, pa asnjë kundërshtim apo abstenim. Ky akt parashikon që ndaj mësimdhënësit për të cilin është ngritur padia për ngacmim seksual ndaj nxënësve ose punonjësve, drejtori mund t’i ndalojë përkohësisht kryerjen e aktivitetit arsimor deri në përfundim të procedurës.

Me këto ndryshime, ligji rregullon institucionalisht udhëzimin profesional dhe karrierën, si dhe fushën e mësimit online në rast ndërprerjeje të procesit arsimor.

Gjithashtu, zgjidhja e re përcakton detyrimin që për drejtor të institucioneve arsimore të zgjidhet vetëm kandidati me vlerësimin më të lartë, pas kryerjes së kontrolleve, si dhe që marrëdhënia e punës me drejtorin të pezullohet jo vetëm gjatë mandatit të parë, por edhe gjatë të dytit.

Ndryshimet në ligjin e përgjithshëm përcaktojnë kriteret për punësimin e mësimdhënësve, mundësinë e vlerësimit të cilësisë së punës së tyre, dhe përcaktojnë se qytetarët e Bashkimit Evropian mund të punësohen si mësimdhënës nën të njëjtat kushte si shtetasit malazezë.

Në aktin e ri ligjor përcaktohen gjithashtu të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e prindërve.

SHARE