Autoritetet në Japoni dhe Korenë e Jugut kanë paralajmëruar qytetarët të marrin masa paraprake për të shmangur efektet e valës së nxehtësisë, që po përkeqësohet nga temperatura rekord dhe ngarkesa e madhe në spitale.
Sipas zyrës meteorologjike të Koresë së Jugut, vendi ka regjistruar për 22 ditë rresht temperatura mbi 25 gradë Celsius gjatë natës, një rekod që nuk ishte parë që prej vitit 1907.
Në kryeqytetin Seul, temperatura më e ulët gjatë ditës së mërkurë ishte 29.3 gradë, duke thyer rekordin e natës më të nxehtë të korrikut në histori, dhe pritet që këto rekorde të thyhen sërish.
Zyrtarët e motit shpjeguan se ajri i ngrohtë nga Paqësori Verior po prek Korenë e Jugut më herët se zakonisht, duke sjellë nxehtësi të pazakontë.
Në Japoni, temperatura arriti rekordin historik prej 41.2 gradë Celsius në Tamba, në prefekturën Hyogo.
Agjencia meteorologjike japoneze paralajmëroi qytetarët të qëndrojnë të hidratuar dhe të përdorin kondicionerë e ventilatorë për të parandaluar sëmundjet e lidhura me nxehtësinë, pasi moti i nxehtë do të vazhdojë për shkak të një sistemi me presion të lartë që sjell qiell të kthjellët dhe temperatura të larta në të gjithë vendin.
Spitalet në të dy vendet po përballen me një presion të madh për shkak të numrit të shtuar të pacientëve të prekur nga nxehtësia.