MINISTRI HASANI PËR OSBE-në: SHQIPËRIA MBETET E ANGAZHUAR PËR NJË ORGANIZATË EFEKTIVE

Me rastin e 50-vjetorit të Aktit Final të Helsinkit, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë “Helsinki+50”, organizuar nga Ministria e Jashtme e Finlandës, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thuhet se aktiviteti shënoi gjysmëshekullin e dokumentit themelues të OSBE-së, “një moment kyç në historinë e sigurisë evropiane dhe një pikë referimi për marrëdhëniet ndërkombëtare të bazuara në parime dhe rregulla”.

Në fjalën e tij, ministri Hasani theksoi se parimet themelore të Aktit Final të Helsinkit, përfshirë respektimin e sovranitetit, integritetit territorial, mos-përdorimin e forcës dhe respektimin e të drejtave të njeriut, nuk janë thjesht norma historike, por sipas tij udhërrëfyes të domosdoshëm për rendin ndërkombëtar “sidomos në ditët e sotme”.

“Shkelja e vazhdueshme e këtyre parimeve nga Federata Ruse përmes agresionit të saj ndaj Ukrainës përbën një sfidë të drejtpërdrejtë për besueshmërinë e OSBE-së. Pikërisht në një mjedis të tillë, roli i OSBE-së si platformë për dialog dhe si mbrojtëse e parimeve të Helsinkit bëhet edhe më i domosdoshëm”, tha Hasani.

Sipas njoftimit, Hasani theksoi se Shqipëria, si vend anëtar aktiv dhe ish-kryesuese e OSBE-së, mbetet e angazhuar për një organizatë funksionale dhe efektive, e aftë të përgjigjet ndaj sfidave moderne, që sipas tij nuk janë vetëm ushtarake, por edhe digjitale, hibride, mjedisore dhe sociale.

Në Konferencën “Helsinki+50” morën pjesë përfaqësues të lartë të shteteve pjesëmarrëse në OSBE, institucioneve ekzekutive të OSBE-së, Asamblesë Parlamentare, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare.

Konferenca u përshëndet gjithashtu nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

SHARE