KUVENDI MIRATON NJËZËRI NDRYSHIMET NË LIGJIN E TATIMIT, GJELAJ: VENDIM QË TREGON PJEKURI POLITIKE DHE DIALOG

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, njoftoi sot se Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar njëzëri ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme, duke shfuqizuar ligjin e kontestuar të miratuar më 30 dhjetor 2021.

“Ky ligj kishte vetëm një qëllim: të dobësonte financiarisht Komunën e Tuzit dhe të pengonte zhvillimin e saj,” u shpreh Gjelaj, duke e cilësuar miratimin e sotëm si një hap drejt rivendosjes së drejtësisë institucionale.

Kryetari Gjelaj falënderoi sinqerisht të gjithë deputetët që mbështetën këtë nismë, veçanërisht përfaqësuesit e Forumit Shqiptar, për përkushtimin dhe rolin e tyre vendimtar.

Ai theksoi se vendimi dëshmon pjekurinë politike dhe gatishmërinë për dialog të të gjitha forcave parlamentare.

“Dëmi i shkaktuar nga vendimi i mëparshëm, pas të cilit qëndronin individë të caktuar me qëllime politike, është ndalur. Komuna e Tuzit do të vazhdojë rrugën e saj të zhvillimit, duke ndjekur politika të përgjegjshme dhe konstruktive për mirëqenien e qytetarëve,” deklaroi Gjelaj.

Në këtë kuadër, ai njoftoi edhe për bashkëpunimin me menaxhmentin e ri të kompanisë “Plantacionet”, me synim gjetjen e një zgjidhjeje që do të sjellë përfitime të ndërsjella, duke theksuar se mbështetja e komunës do të jetë gjithmonë në përputhje me interesin publik.

“Ne nuk do të lejojmë që zhvillimi ekonomik të bëhet në kurriz të qytetarëve tanë,” theksoi kryetari i Komunës së Tuzit.

SHARE