Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, njoftoi se vendi i tij do të njohë zyrtarisht shtetin palestinez në shtator, duke u bërë kështu vendi i tretë i grupit G7 që bën një lëvizje të tillë në ditët e fundit.
Vendimi i Kanadasë do të varet nga reformat që do të ndërmerren nga Autoriteti Palestinez, përfshirë zotimin për të organizuar zgjedhje të reja vitin e ardhshëm, pa pjesëmarrjen e Hamasit në to.
Deklaratat e Carney vijnë një ditë pas njoftimit të Mbretërisë së Bashkuar për një njohje të mundshme të shtetit palestinez, në rast se Izraeli nuk pranon një armëpushim, ndërsa një javë më parë Franca prezantoi një plan të ngjashëm.
Në anën tjetër, presidenti amerikan Donald Trump e ka vlerësuar si “shumë të vështirë” arritjen e një marrëveshjeje tregtare me Kanadanë pas këtij njoftimi.
Ministria e Jashtme e Izraelit e ka kritikuar vendimin, duke e cilësuar atë si “shpërblim për Hamasin”.
Nga 193 anëtarë të Kombeve të Bashkuara, 147 vende e njohin zyrtarisht shtetin palestinez.
Carney bëri të ditur se Kanadaja do të bëjë njohjen zyrtare në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Ai përmendi si arsye për këtë ndryshim politik zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, përkeqësimin e situatës në Gaza dhe sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023 kundër Izraelit.
“Niveli i vuajtjeve njerëzore në Gaza është i patolerueshëm dhe po përkeqësohet me shpejtësi,” tha Carney para gazetarëve, duke shtuar se njohja do të shoqërohet me kërkesën që pala palestineze të ndërmarrë reforma dhe të çmilitarizojë territorin. A
i gjithashtu deklaroi se ka pasur biseda me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, për këtë vendim. Autoriteti Palestinez kontrollon pjesë të Bregut Perëndimor nëpërmjet partisë Fatah të udhëhequr nga Abbas, ndërsa Gaza është nën kontrollin e Hamasit. Asnjë nga këto territore nuk ka mbajtur zgjedhje që nga viti 2006.