GJYKATA KOMERCIALE PEZULLON VENDIMIN E ZRRE-së PËR LIBERALIZIMIN E TREGUT TË ENERGJISË

Gjykata Komerciale e Kosovës ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që parasheh daljen e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.

Masa e pezullimit do të vlejë derisa Gjykata të marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje.

Burimet brenda ZRRE-së i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se juristët e tyre konsiderojnë se ky aktgjykim vlen vetëm për kompaninë që e ka paditur ZRRE-në, por shtuan se presin sqarime shtesë nga gjykata.

Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor.

Sipas vendimit, të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit u detyruan të kalojnë në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.

Kompanitë që nuk kanë arritur të lidhin kontratë me një furnizues, po furnizohen nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), si mundësi e fundit për sigurimin e energjisë elektrike, për një periudhë 60-ditore. Kjo periudhë, për ata që kanë lidhur kontratë me KEK-un, skadon më 31 korrik.

Për këtë datë është paralajmëruar se të gjitha bizneset në Kosovë me mbi 50 punëtorë, ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike, do të mbesin pa rrymë.

Gjykata Komerciale tha se vendimi i ZRRE-së për të nxjerrë të gjithë konsumatorët në treg të lirë, të “bazuar në një interpretim të gabuar” të dispozitave ligjore, përbën shkelje të rëndë të ligjit, pasi sipas gjykatës ZRRE-ja i ka trajtuar në mënyrë të padrejtë konsumatorët, që sipas ligjit, plotësojnë të paktën një nga kriteret e kërkuara për dalje në treg të lirë.

Oda Ekonomike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale, duke e vlerësuar si vendim të rëndësishëm dhe që konfirmon shqetësimet e ngritura nga komuniteti i biznesit dhe nga kjo odë “lidhur me mënyrën e njëanshme dhe jo transparente të zbatimit të këtij procesi”.

“Në mungesë të një njoftimi të vlefshëm dhe në mungesë të një baze ligjore për zbatim, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon nga ZRRE që të anulojë vendimin e datës 05.04.2024, i cili nuk mund të prodhojë më efekte juridike. ZRRE është e detyruar të zbatojë aktgjykimet përfundimtare të gjykatës, dhe moszbatimi i tyre përbën shkelje të rëndë të rendit juridik që sjellë përgjegjësi penale”, u tha në reagimin e Odës Ekonomike të Kosovës.

SHARE