GJELOSHAJ: LEHTËSOHET RRUGA DREJT FINANCAVE, SHANS I RI PËR BIZNESET E VOGLA DHE TË MESME

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, deklaroi se miratimi i Ligjit për Fondin e Garancisë Kreditore përbën një hap strategjik drejt krijimit të një ambienti më të favorshëm për biznesin në Malin e Zi.

Sipas tij, ky ligj hap veçanërisht mundësi të reja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që janë shtylla kryesore e rritjes dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

“Mali i Zi ka bërë një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të qëndrueshmërisë ekonomike dhe mbështetjes së sektorit privat,” tha Gjeloshaj.

Ligji, siç theksoi ai, ofron akses më të madh në financa për fillimin dhe zhvillimin e bizneseve, ul pengesat financiare dhe ndan rrezikun me bankat, forcon konkurrencën vendore, krijon vende të reja pune dhe mbështet veçanërisht sipërmarrësit e rinj, fillestarët dhe gratë në biznes.

“Ky ligj është një shans i ri për zhvillim më të shpejtë dhe më të sigurt të ekonomisë malazeze, duke krijuar kushte më të mira për biznes dhe stabilitet afatgjatë,” deklaroi Gjeloshaj.

SHARE