Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar dhe drejtimin e Kuvendit, ku Elisa Spiropali është zgjedhur në postin e kryeparlamentares, raporton Anadolu.
Dekretet e presidentit Bajram Begaj mbi ndryshimet në Qeverinë e Shqipërisë të propozuara nga kryeministri Edi Rama u miratuan në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Shqipërisë mes tensionesh.
Ministri i deritanishëm i Punëve të Brendshme, Taulant Balla, është emëruar ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin në Qeverinë e Shqipërisë. Në postin e ministrit të Brendshëm është emëruar Ervin Hoxha.
Ministër i Financave është emëruar Petrit Malaj, i cili do të zëvendësojë në këtë post Ervin Meten.
Në postin e ministrit të Mbrojtjes është emëruar drejtori i deritanishëm i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vëngu, i cili do të zëvendësojë Niko Peleshin.
Pas ceremonisë së betimit, ministrat e rinj kanë marrë zyrtarisht detyrën.
Ndërkohë, seanca u shoqërua nga tensionet pasi deputetët e partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë(PD), kishin kërkuar seancë me debat për ndryshimet në qeveri, kërkesë e cila nuk u pranua.
Deputetët opozitarë bllokuan foltoren, si dhe hodhën letra dhe ujë në drejtim të anëtarëve të kabinetit qeveritar.