AZILKËRKUESIT E PARË DO VININ MË 1 GUSHT / QENDRA E SHËNGJINIT NUK ËSHTË ENDE GATI

Marrëveshja e diskutueshme sipas të cilës Shqipëria do të presë mijëra azilkërkues në Itali, pritet të zgjasë për pesë vjet dhe të sigurojë strehim për deri në 3,000 emigrantë të kapur nga Roja Bregdetare Italiane në ujërat ndërkombëtare çdo muaj.

Duke folur gjatë një vizite në Shqipëri në qershor, kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se dy qendrat e strehimit të emigrantëve do të ishin gati për të pritur 1000 personat e parë deri më 1 gusht.

Por tani që dita po vjen, punimet vazhdojnë, cka hedh dyshime nëse qendra do të jetë gati në kohë.

As Italia dhe as Shqipëria nuk kanë bërë të ditur ndërkohë se kur mund të mbërrijnë emigrantët e parë.

Marrëveshja u nënshkrua nga Meloni dhe Rama nëntorin e kaluar.

Emigrantët fillimisht do të kontrollohen në bordin e anijeve që i shpëtojnë në det përpara se të dërgohen në Shqipëri për kontroll shtesë.

Qendrat do të strehojnë vetëm meshkuj në moshë të rritur, sipas ambasadorit të Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci.

Njerëzit që konsiderohen të pambrojtur, gra, fëmijë, të moshuar dhe ata që janë të sëmurë ose viktima të torturës, do të priten në Itali.

Familjet gjithashtu nuk do të ndahen, tha ambasadori.

Ata që dërgohen në Shqipëri do të ruajnë të drejtën e tyre sipas ligjit ndërkombëtar dhe të Bashkimit Evropian për të aplikuar për azil në Itali dhe për t’u trajtuar kërkesat e tyre atje.

Me çdo kërkesë që kërkon rreth një muaj për t’u përpunuar, numri i njerëzve të dërguar në Shqipëri mund të arrijë në 36,000 në një vit. Marrëveshja është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut si një precedent i rrezikshëm.

Në fillim të këtij viti, Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit e përshkroi marrëveshjen si “të kushtueshme, mizore dhe kundërproduktive” dhe së fundi, ai i kërkoi BE-së dhe vendeve të saj anëtare të mos përdorin “këtë model të rrezikshëm si një plan”.

Dy qendrat në Shqipëri do t’i kushtojnë Italisë 670 milionë euro gjatë pesë viteve.

Ambientet do të drejtohen plotësisht nga Italia dhe të dyja qendrat janë nën juridiksionin italian, ndërsa rojet shqiptare do të ofrojnë siguri të jashtme.

Meloni dhe aleatët e saj të krahut të djathtë kanë kërkuar prej kohësh që vendet evropiane të ndajnë më shumë barrën e migracionit.

Ajo pohoi se marrëveshja me Shqipërinë ishte një zgjidhje inovative për një problem që ka shqetësuar BE-në prej vitesh, pavarësisht se ajo bie ndesh me konventat ndërkombëtare.

SHARE