Sot është hapur zyrtarisht faza e dytë e bulevardit Podgoricë – Tuz.
Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq, kryetarja e Kryeqytetit Olivera Injac dhe drejtori i Administratës së Trafikut Radomir Vuksanoviq hapën fazën e dytë të bulevardit duke prerë shiritin.
Kryeministri Abazoviq vuri në dukje se bulevardi i ri përfaqëson një lidhje të shpejtë mes Podgoricës, Tuzit dhe kufirit me Shqipërinë.
„Mendoj se është shumë e rëndësishme për qytetarët dhe biznesmenët e kryeqytetit dhe komunës së Tuzit dhe për zhvillimin ekonomik të kësaj pjese që të ketë komunikim të shpejtë falë kësaj rruge,“ tha kryeministri.
Kryetarja e komunës së Podgoricës Injac tha se perspektiva e Malit të Zi në BE kërkon infrastrukturë shumë më të mirë dhe se projekte të tilla janë inkurajuese.
“Besoj se Podgorica së shpejti do të jetë një qytet modern dhe se do të ketë më shumë rrugë si kjo… Pa rrugë nuk ka zhvillim ekonomik dhe kjo rrugë është e rëndësishme edhe për zhvillimin ekonomik edhe për investime”, tha Injac.
Ndërsa, drejtori i Administratës së Trafikut, Radomir Vuksanoviq, tha se ky është një objekt i rëndësishëm infrastrukturor për Podgoricën dhe Tuzin. Vlera e punimeve është 6.5 milionë euro, nga të cilat Kryeqyteti ka marrë pjesë me 1.3 milionë euro. Punimet kanë nisur në nëntor dhe sipas Vuksanoviq kanë përfunduar në kohë rekord.