ZENKA: ËSHTË NDËRPRERË SEANCA E KUVENDIT TË KOMUNËS SË ULQINIT, QEVERIA TË NDËRMARRË HAPA

Ende nuk dihet se kush do ta udhëheq Ulqinin në katër vitet e ardhshme, për shkak se seanca konstituive e Kuvendit të Komunës është ndërprerë sërish. Në seancë kanë marrë pjesë 32 këshilltarë, por ka munguar kryetarja Jasmina Hasa, këshilltarja më e vjetër në Kuvendin e Ulqinit. Kryetari i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve të Ulqinit, Vlladimir Filipoviq, deklaroi se këshilltari i radhës më i vjetër është Mehmet Zenka, i cili e drejtoi dhe më pas e ndërpreu seancën, duke thënë se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e saj. “Për të mos hasur në shkelje të ligjit, ne e ndërpremë seancën. Do të informojmë Qeverinë e Malit të Zi dhe Ministrinë e Administratës Publike që të ndërmarrin hapa të mëtejshëm”, tha Zenka për Radion e Malit të Zi. Zenka tha se arsyeja kryesore për këtë veprim ishte skadimi i afatit ligjor që ata kishin për të zgjedhur kryetarin. Sipas Zenkës, ky afat ka skaduar më 27 maj, prandaj vazhdimi i saj do të ishte në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale. Kujtojmë se Ministria e Administratës Publike me një shkresë ka paralajmëruar kryetaren dhe të gjithë këshilltarët se janë të obliguar me ligj që të mbajnë seancën konstituive deri më 1 qershor, ose Qeveria do të marrë kontrollin.

SHARE