MBËSHTETJE NË REFORMËN E ADMINISTRATËS PUBLIKE

Thellimi i dialogut rajonal dhe angazhimit politik në nivelin më të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe bashkëpunimi me BE-në drejt një administrate publike moderne, të fuqizuar, transparente me në qendër qytetarin është konkludimi kryesor takimit midis ministrit të Administratës Publike Marash Dukaj dhe drejtoreshes të Shkollës Rajonale të Administrates Publike, ReSPA, Maja Handjiska-Trendafilova. “Shkolla Rajonale e Administratës Publike – ReSPA ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në rajon në mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e reformës dhe dixhitalizimit të administratës publike me fokus në përmirësimin e shërbimeve elektronike dhe përdorimin e teknologjive të reja të informacionit në administratën publike. Ne presim që ReSPA të përshtatë më tej programet për nevojat specifike të nëpunësve civilë në lidhje me tranzicionin dixhital dhe të mbështesë ngritjen e kapaciteteve në nivel lokal dhe të kontribuojë në ndërtimin e administratës publike efikase dhe në këtë mënyrë të ofrojë zgjidhjet më të mira të mundshme për qytetarët tanë”, tha Dukaj. “Duke pasur parasysh pasigurinë e lartë politike dhe ekonomike, ReSPA mbetet e vendosur të mbështesë qeveritë e Ballkanit Perëndimor në reformën e administratës publike. “Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim anëtarët tanë përmes bashkëpunimit rajonal, rrjetëzimit, mësimit të kolegëve, vlerësimeve krahasuese, asistencës teknike dhe instrumenteve të lëvizshmërisë që ReSPA përdor në përpjekje për të kontribuar në një sektor publik më efikas dhe më të fortë,” tha Maja Handjiska-Trendafilova. Sipas Ministrisë së Administratës Publike, takimi ishte një mundësi për të theksuar rëndësinë e transformimit dhe shkëmbimit të praktikave më të mira në rajon përmes iniciativës për ndarjen e çmimeve për administratën publike të zbatuar nga ReSPA.

SHARE