Çfarë do të thotë të jesh rus? Për shumicën prej nesh, kjo nuk është më pyetje e thjeshtë!

Nga: Ivan Philippov, shkrimtar / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

“Ukrainasit nuk duhet të paguajnë!” Po përpiqem t’i blej tre dynerë në një treg në Tbilisi, në Gjeorgji, por shitësi ambulant refuzon prerazi t’i marrë paratë e mia. Përpiqem të shpjegoj, ndonëse më paralajmëruan të mos e them këtë: “Më falni, nuk jam ukrainas, jam rus.” Shitësi e shikon flamurin e Ukrainës, të kapur me gjilpërë në xhaketën time; nuk më beson.

Para 24 shkurtit, nuk kam menduar kurrë çfarë do të thotë të jesh rus. Tashti është gjithçka për të cilën mendoj.

Linda në Moskë dhe gjithë jetën – deri vonë – kam jetuar atje. Por, “jam rus” do të ishte fjalë për fjalë gjëja e fundit me të cilën do t’i përgjigjesha pyetjes: “Kush je ti?” Jam baba, jam producent ekzekutiv në një kompani filmash, shkrimtar, gazetar, podkaster, mik … rus? Epo, po, por është vetëm emri në pasaportën që kam, asgjë tjetër.

U rrita në vitet 1990 dhe 2000, kur njerëzit e brezit tim – ose të paktën njerëzit që i njihja – e mendonin veten si qytetarë të botës. Pas vitit të parë në universitet, kam bërë autostop nëpër Evropë. E vetmja herë që mendoja për kombësinë ishte kur duhej të aplikoja për viza. Megjithatë, e di se në fund të fundit kjo është nën privilegj. Ndryshe nga miqtë e mi nga Dagestani, Burjatia, Jakutia apo Osetia e Veriut, mund t’ia lejoja vetes të mos mendoj për identitetin tim rus. Me fytyrë sllave dhe emër sllav, nuk i nënshtrohesha shovinizmit të përditshëm që e bën qull shoqërinë ruse.

E doja vendin tim, por kurrë nuk e kam valëvitur flamurin rus në ndonjë demonstratë ose nuk e kam shprehur publikisht patriotizmin tim – thjesht, nuk ishte kjo diçka që bënin njerëz si unë. Menduam për patriotizmin në aspektin politik – nëse kujdeseni për vendin tuaj, përpiquni ta bëni atë më të mirë. Kështu që, u përpoqa. Për mbi një dekadë kam shkuar në të gjitha mitingjet e opozitës, kam protestuar kundër padrejtësisë. Unë dhe njerëzit me të njëjtin mendim jemi përpjekur ta bënim vendin tonë një vend më të mirë. Por, kurrë nuk kam rënë pre e sloganeve patriotike se sa e madhe është Rusia apo se sa e madhe ka qenë dhe duhet të jetë përsëri.

Pse duhet të jem krenar që Bashkimi Sovjetik ishte vendi i parë që e nisi një njeri në hapësirë? Yuri Gagarini ose Sergei Korolevi duhet të jenë krenarë për këtë; ishte arritja e tyre, jo e imja. Pse duhet të jem krenar që Bashkimi Sovjetik e fitoi luftën e madhe patriotike? Gjyshërit e mi luftuan në të. Lufta i dërrmoi, por fituan: ata duhet të jenë krenarë për të. E di që ishin. Sigurisht se këto arritje nuk kanë qenë kurrë pjesë e identitetit tim, në atë mënyrë siç janë për “shumicën e Putinit”, për bashkatdhetarët e mi të cilët e ndërtojnë ndjenjën e vetes me fitoret e kaluara, me të cilat ata lidhen vetëm përmes aksidentit të lindjes.

Por, këto pyetje tani janë të rëndësishme për mua. “Jam rus,” ia përsëris shitësit ambulantë. “Por, ju jeni me ta?” – më pyet duke tundur kokën në drejtim të shokëve të mi. Maria Belkina dhe Kirill Zhivoi janë njerëzit që drejtojnë Vullnetarët e Tbilisit – lëvizje që tashmë ka ndihmuar mijëra refugjatë ukrainas në Gjeorgji. Po, jam me ta. Sapo kishim mbaruar blerjen e furnizimeve me të cilat e mbushëm një makinë – ushqime dhe produkte higjienike që do të shpërndaheshin mes refugjatëve në një nga qendrat e ndihmës së Vullnetarëve të Tbilisis. “Jam me ta – por unë jam rus.”

Dita e pushtimit – 24 shkurti – është dita që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën time. Përmasa dhe irracionaliteti i luftës ishte si një tronditje fizike. Në flluskën time sociale, të ndërtuar me kujdes, nuk kishte asnjë person të vetëm që e mbështeste luftën. Ndiheshim si gjethe të shpërndara nga një uragan. Ende ndihemi kështu.

Disa prej nesh u larguan nga Rusia dhe disa qëndruan. U nisa me regjisorin Kantemir Balagov. Kishte kaluar mesnata kur u ulëm në një hapësirë të braktisur të Aeroportit të Stambollit, duke e pritur fluturimin tonë për në Jerevan, në Armeni. Duke pirë një gotë ujë, Kantemiri më pyeti: a mendon se duhet të ndalojmë së foluri në rusisht? A duhet të kemi turp për gjuhën tonë? Kjo ndoshta është pyetja e vetme për të cilën kam përgjigje të qartë: “Jo!”

Më lejoni të përpiqem të shpjegoj. Vladimir Putini dhe Volodymyr Zelenskiy flasin që të dy rusisht, por gjuhët e tyre nuk mund të jenë më të ndryshme. Rusishtja e Zelenskiyt është e pasionuar, emocionale dhe kumbuese – e gjallë. Gjuha e propagandës ruse ka vdekur: një grumbull i pakuptimtë i burokratëve të mugët. Regjisori i madh rus, Andrey Zvyagintsev, e ka bërë një film të fuqishëm, “Pa dashuri”, për mungesën e dashurisë në jetën e përditshme ruse. Rusishtja që Putini dhe miqtë e tij e flasin, këtë gjë e pasqyron – qëllimisht nuk është e gjallë. Pra, jo, kurrë nuk do të kemi turp nga rusishtja: ne flasim një gjuhë tjetër.

Nuk është e njëjta gjë me pasaportat tona. Në pikën e kontrollit kufitar në Stamboll, dëgjova një bisedë mes një nëne dhe një vajze ukrainase. Po rrinin ngjitur prapa meje – po përpiqeshin të fluturonin për në shtëpi, në Kiev. Para lufte shkuan për pushime në Turqi dhe tani ktheheshin në botën në të cilën gjyshja e tyre fshihej në strehimore për bomba dhe babai dhe vëllai i tyre ishin bashkuar me forcat e mbrojtjes territoriale. E dëgjova bisedën e tyre dhe kisha një ndjenjë të madhe turpi. Pasaporta ime ruse digjej si qymyr i nxehtë në xhep.

Nuk mendoj se do të jem në gjendje që së shpejti ta lexoj ndonjë nga librat e mi të preferuar në rusisht, ose të shikoj filma rusë ose shfaqjet televizive që më pëlqejnë. Të gjitha këto kanë të njëjtin fund tani: 24 shkurti dhe zëri robotik i Presidentit Putin që shpall “operacionin e tij të kufizuar ushtarak”. Buça, Irpeni, Hostomeli, Mariupoli … Do të na duhet të shkruajmë libra të rinj dhe të bëjmë filma të rinj. Dhe, hap pas hapi, do të kuptojmë se çfarë do të thotë të jesh tani rus.

Prapë në Tbilisi, më në fund e binda shitësin t’i marrë paratë e mia. “Ju nuk e mbështesni luftën, apo jo?” – më pyeti me dyshim. Jo, sigurisht se nuk e mbështes. Si mund ta mbështesë dikush këtë çmenduri të përgjakshme? Por, ndonëse jam shumë kundër luftës dhe kundër Putinit, unë jam rus. Për disa arsye, është e rëndësishme për mua ta them këtë. Teksa jam gati të largohem, ai ma jep një shishqebap falas. /Telegrafi/

SHARE