Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq deklaroi se shteti ka ndërmarrë të gjitha masat e mundshme për të mbrojtur qytetarët dhe ekonominë, si dhe për të zbutur presionet inflacioniste që, sipas tij, janë tërësisht me origjinë të jashtme.
Gjatë seancës së pyetjeve në Kuvend, ai theksoi se situata me çmimet e derivateve të naftës është shumë serioze, duke shprehur shpresën për stabilizim të shpejtë të situatës në Lindjen e Mesme.
Spajiq rikujtoi se Qeveria ka ulur akcizat për karburantet, ndërsa paralajmëroi se çmimi i naftës do të kalojë mbi 1.6 euro për litër, por do të mbetet më i ulët krahasuar me vendet e rajonit.
Ai paralajmëroi gjithashtu mundësinë e rritjes së çmimeve deri në 2.6 euro për litër, në varësi të zhvillimeve në Lindjen e Mesme.
Sipas tij, institucionet financiare dhe kompanitë e naftës kanë paralajmëruar se një përshkallëzim i situatës mund të çojë çmimin e naftës Brent mbi 300 dollarë për fuçi, ndërsa aktualisht është rreth 115 dollarë.
Në fushën e energjisë, Spajiq theksoi se Mali i Zi duhet të shfrytëzojë potencialet ekzistuese për të ruajtur çmime të ulëta të energjisë elektrike, duke shtuar se çmimi i rrymës në vend është ndër më të ulëtit në Evropë, falë politikave të Qeverisë dhe kompanisë EEMZ.
Ai nënvizoi se investimet në kapacitete të reja energjetike janë prioritet kyç, duke përmendur mundësinë e bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë si EDF dhe Masdar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në fund, Spajiq potencoi se ka pasur rritje çmimesh dhe inflacioni, por shtoi se është rritur edhe standardi i jetesës.
Sa i përket rritjes së ulët ekonomike vitin e kaluar, ai e lidhi atë me rindërtimin ekologjik të Termocentralit në Plevla, i cili pritet të rikthehet në funksion dhe të kontribuojë në rritje më të madhe ekonomike këtë vit.










