Foto: MERS
Ministri i Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, Damjan Qullafiq, deklaroi se Kriporja e Ulqinit ka qenë e lënë pas dore për një periudhë të gjatë, pavarësisht rëndësisë së saj si ekosistem unik dhe për procesin e integrimeve evropiane, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 27.
Ai theksoi se nga viti 2019 deri së fundmi nuk ka pasur një menaxher të formuar për Kripore, duke treguar mungesë angazhimi institucional.
Megjithatë, sipas tij, disa hapa pozitivë janë ndërmarrë nga Komuna e Ulqinit dhe më pas nga Ndërmarrja e Parqeve Kombëtare, e cila aktualisht e administron përkohësisht zonën dhe kujdeset edhe për punonjësit.
Qullafiq përmendi marrëveshjen mes Qeverisë dhe Komunës së Ulqinit për krijimin e një strukture të përbashkët menaxhimi, me synimin që menaxhimi të kalojë gradualisht te niveli lokal.
Ai shtoi se procesi është komplikuar nga ndryshimet në legjislacionin për shoqëritë tregtare.
Ministri kritikoi gjithashtu faktin që nga hapja e procedurës së falimentimit në vitin 2004, shteti nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për rreth dy dekada.
Megjithatë, ai tha se Ministria ka nisur projekte konkrete, përfshirë sanimin e infrastrukturës në Kripore me vlerë rreth 510 mijë euro dhe planifikimin e investimeve prej rreth 16 milionë euro përmes fondeve evropiane në pesë vitet e ardhshme.










