Foto: Ilustrim
Në mbarë botën, besimtarët e besimit islam festojnë Fitër Bajramin, një nga dy festat më të rëndësishme që i jep fund agjërimit njëmujor të Ramazanit.
Festa e Bajramit fillon me namaz, menjëherë pas agimit.
Dita e parë fillon me një lutje të mëngjesit të quajtur namazi i Bajramit – 45 minuta pas lindjes së diellit.
Me një tavolinë të pasur, dita e parë e Bajramit kalohet me familjen, e cila mblidhet në shtëpinë e anëtarëve më të vjetër të familjes. Ditën e dytë vizitohen varrezat ndërsa dita e tretë kalon në shoqërim me miqtë, të njohurit dhe fqinjët.
Fitër Bajrami është një kohë gëzimi, bashkimi dhe solidariteti.
Me rastin e festës së Fitër Bajramit, zyrtarë të shumtë u dërguan urime besimtarëve të besimit islam.
Të rikujtojmë se, me rastin e festës së Fitër Bajramit, punonjësit e besimit islam, bazuar në Ligjin për kremtimin e festave fetare (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Malit të Zi”, nr. 56/93), kanë të drejtë pushimi ditën e diel, 30 mars, e hënë, 31 mars dhe e martë, 1 prill.
Organet shtetërore, organet e vetëqeverisjes lokale, institucionet publike, ndërmarrjet publike dhe subjektet tjera që kryejnë veprimtari me interes publik janë të detyruara të sigurojnë kryerjen e detyrave në ditët e festave publike, ndërprerja e të cilave mund të ketë pasoja të dëmshme për qytetarët ose shtetin.