LIGJI I RI NË PËRGATITJE: VOTIMI NË TË NJËJTËN DITË DHE ZGJEDHJE E DREJTPËRDREJTË E KRYETARËVE TË KOMUNAVE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj ka formuar një ekip punues për hartimin e konceptit të Ligjit për Zgjedhjet Lokale.

Ky ekip, siç njofton Ministria e Administratës Publike, do të punojë në zhvillimin e konceptit të Ligjit për Zgjedhjet Lokale, bazuar në Informacionin për gjendjen në njësitë e vetëqeverisjes lokale lidhur me efektet e sistemit ekzistues zgjedhor në ushtrimin e të drejtave të qytetarëve për vetëqeverisje lokale, i cili u miratua nga Qeveria e Malit të Zi në seancën e 74-të të mbajtur më 27 mars 2025.

Anëtarët e Ekipit janë përfaqësues të shquar të institucioneve shtetërore, të sektorit joqeveritar, si dhe të komunitetit akademik.

Në takimin e parë të sotëm të këtij ekipi punues, të gjithë anëtarët u pajtuan se është me rëndësi të madhe që në Mal të Zi të merret një zgjidhje ligjore që do të sigurojë zhbllokimin e sistemit politik në njësitë e vetëqeverisjes lokale. Reforma në nivelin e qeverisjes vendore është thelbësore në procesin e integrimit evropian.

Ai u jep votuesve fuqinë vendimmarrëse të drejtpërdrejtë, e cila është e tyre.

“Zgjidhjet tona do të jenë të fokusuara në zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kryetarit, listat e hapura zgjedhore, zgjedhjen e drejtpërdrejtë të organeve të komuniteteve lokale, mbajtjen e zgjedhjeve lokale brenda një dite dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve ekzistuese në komunat e veçanta”, tha Dukaj.

Në takimin e sotëm, anëtarët e ekipit punues analizuan kuadrin ligjor ekzistues, si dhe përcaktuan dinamikën e punës dhe ranë dakord për detaje të tjera të bashkëpunimit të mëtejshëm në këtë punë të rëndësishme.

“Besoj fuqishëm se ky ekip pune ekspertësh, Komisioni për Reformë Gjithëpërfshirëse, si dhe të gjithë deputetët, si me fjalë ashtu edhe me vepra do të kontribuojnë që Mali i Zi të krijojë një mekanizëm për një proces efiçent zgjedhor sa më shpejt që të jetë e mundur, në përputhje me praktikat dhe mekanizmat më të mirë të BE-së”, theksoi ministri Dukaj.

Pas hartimit, koncepti i Ligjit për Zgjedhjet Lokale do t’i dorëzohet Komisionit për Reformë Gjithëpërfshirëse Zgjedhore të Parlamentit të Malit të Zi.

SHARE