FRANCA E GJERMANIA BËJNË THIRRJE PËR ZBATIMIN MARRËVESHJES PËR NORMALIZIM

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka deklaruar se pret që Qeveria e Kosovës të nisë bisedimet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai shtoi se “këto ditë priten takimet lidhur me këtë çështje”.

Ambasadori Guerot theksoi se nga lideri i Serbisë pret që ai t’i respektojë obligimet që ka marrë dhe se në të kundërtën do të ketë pasoja për të dyja palët.

“Është shumë herët të thuhet se cilat do të jenë pasojat dhe tani duhet të fokusohemi në përfitimet”, tha Guerot në debatin për zbatimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Ambasadori francez theksi se negociatorët kryesorë në kuadër të dialogut, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të takohen më 4 prill në Bruksel dhe vlerësoi se ky është hapi i parë drejt zbatimit të Marrëveshjes.

Në të njëjtin debat, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, është shprehur optimist për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje dhe ka theksuar se më e rëndësishmja në këtë moment është se marrëveshja është arritur.

“Tani kemi edhe vullnetin politik të aktorëve”, tha Rode.

Ai ka shprehur mendimin se Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve është një “obligim afatgjatë” dhe shtoi se Kosova duhet të respektojë pjesën që ka të bëjë me vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë, ndërkaq Serbia nuk duhet të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Ambasadori gjerman beson se kjo Marrëveshje do t’ua lehtësojë jetën qytetarëve të zakonshëm, veçanërisht pjesëtarëve të komunitetit serb që jetojnë në veri të Kosovës.

SHARE