BE: MARRËVESHJA MES KOSOVËS DHE SERBISË PËR TARGAT NUK KA AFATE KOHORE

Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për targat e makinave në nëntor të vitit të kaluar, nuk ka afate kohore apo afat skadimi, ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Në një përgjigje me shkrim për media, Stano ka përsëritur se i dërguari i BE-së për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, i ka ftuar kryenegociatorët për një takim në Bruksel më 4 prill.

“Ndërkohë, BE-ja pret që të dyja palët të vazhdojnë të kontribuojnë në atmosferën për normalizim, pajtim dhe zbatim të shpejtë të obligimeve. Po ashtu, palët janë zotuar që të përmbahen nga veprimet që do të shkonin në drejtim të kundërt”, ka thënë zëdhënësi i BE-së më 31 mars.

Më 23 nëntor të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për të tejkaluar krizën rreth targave të makinave.

Policia e Kosovës ka njoftuar se në veri të Kosovës është raportuar për djegien edhe të tri automjeteve me targa legale të Republikës së Kosovës – “RKS”. 

Pas rastit të djegies së dy automjeteve vetëm një ditë më parë, më 30 mars, Policia në njoftimin e saj për media bëri të ditur se më 31 mars pas mesnatës u dogjën edhe tri automjete tjera nga persona ende të panjohur duke i shkaktuar dëm viktimave të nacionalitetit serb në veriun e banuar me shumicë serbe në Kosovë.

SHARE