Foto: Atlas
Një sërë agjencish amerikane po hetojnë shkakun e përplasjes në ajër të një avioni pasagjerësh të kompanisë American Airlines dhe një helikopteri të Forcave të Armatosura të mërkurën vonë, pranë Uashingtonit.
Nuk ka asnjë të mbijetuar mes 60 pasagjerëve dhe 4 anëtarëve të ekuipazhit në fluturimin e kompanisë American Airlines, që po kryhej nga kompania e lidhur me të PSA Airlines dhe mes tre pjesëtarëve të ushtrisë amerikane që gjendeshin në helikopterin Black Hawk UH-60, njoftuan të enjten zyrtarët federalë dhe lokalë.
Të dy mjetet ajrore ranë në lumin Potomak, afër aeroportit kombëtar Reagan, në dalje të Uashingtonit, në qytetin Arlington, të Virxhinias.
Operacionet e kërkimit po vazhdojnë. Është aksidenti ajror më vdekjeprurës në SHBA që nga viti 2001.
Të paktën 28 trupa u nxorrën nga ujrat e akullta të lumit Potomak pasi helikopteri mesa duket fluturoi në trajektoren e avionit të mërkurën vonë, ndërsa aeroplani po bënte uljen pranë aeroportit “Ronald Reagan” në Uashington, thanë zyrtarët.
Në helikopter gjendeshin tre pjesëtarë të Forcave të Armatosura.
“Nuk besojmë se ka ndonjë të mbijetuar”, tha John Donnelly, shefi i Departamentit të Zjarrëfikëses. “Tani jemi në pikën ku po kalojmë nga një operacion shpëtimi në një operacion kërkimi”, shtoi ai.
Sekretari i Transportit Sean Duffy, i cili iu bashkua Presidentit Donald Trump për një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë lidhur me përplasjen, tha se si avioni dhe helikopteri kishin qenë në “fluturime të planifikuara”, para se të përplaseshin.
Gjatë konferencës për shtyp, Presidentit Trump kërkoi të mbahej një minutë heshtje për viktimat dhe tha se çdo burim në nivel lokal, shtetëror dhe federal ishte vënë në dispozicion të operacionit të kërkimit.
Zoti Trump tha se Bordi i Sigurisë së Transportit Kombëtar po drejtonte hetimet lidhur me shkaqet e përplasjes dhe se për këtë do të angazhohet edhe Administrata Federale e Aviacionit dhe një njësi hetimore e aviacionit ushtarak amerikan.
Zoti Trump po ashtu sugjeroi se administratat e mëparshme, të drejtuara nga Presidentët demokratë Barack Obama dhe Joe Biden, kishin ulur standardet për punësimin e kontrollorëve të trafikut ajror duke cituar nismat e qeverisë federale për diversitetin, barazinë dhe përfshirjen. Ai tha se anuloi këto nisma përmes urdhrave ekzekutivë që firmosi javën e shkuar.
Sa i përket kontrollorëve të trafikut ajror, zoti Trump tha se “kemi nevojë për më të shkëlqyerit, më të mençurit, dhe më të mprehtët. Kemi nevojë për njerëz që janë psikologjikisht superiorë dhe kështu do t’i kemi” tha ai.
Zoti Trump tha se ka mundësi që gabimi të ishte bërë nga ekuipazhi i helikopterit por se kjo do të zbulohej nga hetimet. Kur u pyet se si arrinte në përfundimin se nisma e diversitetit kishte ndikuar tek përplasja, ai u përgjigj “sepse kam gjykim të arsyeshëm bazuar në një perceptim të thjeshtë të situatës”.