VON CRAMON I DORËZON DRAFT-RAPORTIN PËR KOSOVËN

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon – Taubadel, ka dorëzuar draftin e raportit të saj vjetor për Kosovën, për të cilin do të diskutohet fillimisht në Komisionin për Politikë të Jashtme, ndërsa më vonë gjatë vitit edhe në seancë plenare. Ky tekst përmban pikat e përgjithshme, ngjashëm me raportet e viteve të shkuara, por merr parasysh edhe zhvillimet që kanë ndodhur ndërkohë. Në këtë draft-raport, Parlamenti Evropian “mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, që reflekton orientimin pro-evropian të qytetarëve të saj dhe përcaktimin e qartë gjeopolitik”. Në një raport, eurodeputetët nënvizojnë faktin se ritmi i procesit të anëtarësimit do të varet nga avancimi në fushën e sundimit të ligjit si dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Në draftin e hartuar nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, i bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në këtë dialog për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse. PE bën thirrje gjithashtu për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve përkatëse, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Gjithashtu ritheksohet mbështetja për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planet që Kosova t’i bashkëngjitet Partneritetit për paqe. Në dokument mirëpritet marrëveshja e shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Po ashtu BE bën thirrjë që vendet e tjera evropiane që të njohin pavarësinë e Kosovës. Sa i përket situatës në vend, dënohen të gjitha veprimet që rrezikojnë stabilitetin dhe rrezikojnë procesin e pajtimit, duke përfshirë tensionet në veri të Kosovës, dhe rikujtohet përgjegjësia e përbashkët për paqen dhe sundimin e ligjit për të gjithë qytetarët e Kosovës.

SHARE