RRITET NUMRI I TË VDEKURVE NGA SULMI VETËVRASËS NË NJË XHAMI NË PAKISTAN

Është rritur në të paktën 92 persona numri i të vdekurve, pas një sulmi vetëvrasës në një xhami, i cili kishte në shënjestër policët në provincën pakistaneze të Peshavarit, raporton BBC. Xhamia është brenda një zone me siguri të lartë, aty ku ndodhet stacioni i Policisë, dhe një hetim është duke u zhvilluar për mënyrën se si sulmuesi ka hyrë brenda. Kryeministri i Pakistanit dhe liderë të tjerë kanë dënuar aktin e së hënës – një nga sulmet më të rënda në vend në vitet e fundit. Talibanët pakistanezë kanë mohuar përfshirjen në këtë sulm. Dëshmitarët okularë i thanë dje Radio Mashaal se kamikazët që qëndronin në rreshtin e parë pas imamit, shpërthyen jelekët me eksplozivë derisa besimtarët, përfshirë shumë policë dhe zyrtarë të tjerë, ishin mbledhur për lutjet e pasdites në Xhaminë e Linjës së Policisë më 30 janar. “Terroristët duan të krijojnë frikë duke vënë në shënjestër ata që kanë për detyrë ta mbrojnë Pakistanin”, tha kryeministri Shehbaz Sharif, i cili shpalli ditë zie kombëtare. Ekipet e shpëtimit janë ende duke u përpjekur të tërhequr besimtarët e mbetur në rrënoja. “Operacioni i shpëtimit ka vazhduar për më shumë se 18 orë”, tha zëdhënsësi Mohammad Bilal Faizi. “Trupat e 20 personave të tjerë janë gjetur dhe ka frikë se disa trupa mund të jenë ende nën rrënoja”.

SHARE