KRYEMINISTRI RAMA: DO TË PRODHOJMË MJETE TË BLINDUARA DHE DRONË LUFTARAKË

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se do të prodhojnë mjete të blinduara dhe dronë luftarakë dhe se ambicia e Shqipërisë është që ushtria shqiptare të arrijë në mesataren e ushtrive të NATO-s përsa i përket mbështetjes financiare, raporton Anadolu.

Në konferencën për mediat në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë, Rama u ndal në zhvillimet mbi sektorë të ndryshëm gjatë vitit 2025 dhe objektivat për vitin e ardhshëm.

“Ky vit që hyn, na gjen me një sistem raketor Javelin që e kemi tanimë këtu në Shqipëri, falë bashkëpunimit me SHBA-në; na gjen me 3 anije patrulluese që i kemi dhuratë nga simotra jonë Italia; na gjen me radarë të vëzhgimit ajror falë bashkëpunimit me Francën dhe nuk po zgjatem se ka dhe te tjera gjëra, por ajo që mbetet ambicia kryesore, Shqipëria një vend prodhues kapacitetesh ushtarake që jo vetëm t’i përdorë këto kapacitete për nevojat e veta, por edhe të eksportojë kapacitete industriale ushtarake dhe prandaj ky vit është vit historik për ushtrinë tonë sepse janë hedhur themelet e industrisë së mbrojtjes ‘Made in Albania'”, tha Rama.

Ai theksoi ndër të tjera se kanë krijuar një kompani shtetërore e cila ka nënshkruar sipas tij 6 partneritete me kompani vendase dhe të huaja për prodhimin e armatimit dhe municioneve.

“Do të prodhojmë mjete të blinduara dhe mjete të emergjencës civile, tani që flasim në Shqipëri, po prodhohen një sërë mjetesh në bazë të kontratave me disa shtete të tjera, flasim për autoambulanca, flasim për mjete patrullimi policorë e kështu me radhë. Do të prodhojmë dronët luftarakë dhe do të prodhojmë dhe sistemet anti-dronë dhe porositë e para janë kryer, ndërkohë që 6-mujorin e parë të 2026 do të shihni me siguri dhe produktet e para, ndërkohë që ne vazhdojmë punën për të realizuar kontrata të tjera për industrinë detare dhe industrinë ajrore”, është shprehur Rama.

Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria sot është një nga vendet me kapacitetin më të lartë të mbrojtjes kibernetike. “Jemi në një vit ende që nga aspekti e ekonomisë është ndër më të mirët, me të dhëna shumë pozitive dhe shumë inkurajuese dhe parashikohet që të mbyllet me një rritje ekonomike 3,9 për qind. Të ardhurat nga turizmi kanë qenë domethënëse. Në 9-mujorin e parë ato vlerësohen rreth 4,4 miliardë në euro”, tha Rama.

SHARE