RAMA: TIRANA MIKPRITËSE E SAMITIT TË NATO-s NË VITIN 2027

Foto: AA

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se kryeqyteti Tirana do të jetë mikpritëse e Samitit të NATO-s në vitin 2027, raporton Anadolu.

Rama në konferencën e fundvitit me gazetarët, në mesin e temave të shumta ka folur edhe për samitet dhe organizimet ndërkombëtare që Shqipëria do të jetë nikoqire në të ardhmen.

Duke theksuar Shqipëria sot është “një vend që respektohet dhe vlerësohet nga ndërkombëtarët”, Rama kujtoi se më 16 maj 2025 vendi i tij do të mirëpresë samitin e Komunitetit Politik Evropian.

“Akoma më e pamendueshme është mikpritja në Tiranë e Samitit të NATO-s në vitin 2027, gjë për të cilën ne kemi filluar punën së bashku me NATO-n”, u shpreh Rama.

“Ardhja e presidentit të SHBA-së dhe të gjithë udhëheqësve të NATO-s në Tiranë është njëkohësisht një mesazh shumë i qartë për të gjithë lidhur me Shqipërinë, lidhur me pozicion tonë të ri politik në arenën ndërkombëtare. Ne jemi një vend i vogël. Ne kemi një peshë modeste, por ne sot trajtohemi si të barabartë dhe me një respekt që asnjëherë më parë nuk e kemi pasur në historinë tonë”, theksoi kryeministri shqiptar duke njoftuar edhe vizitën e presidentit amerikan në Samitin e NATO-s.

SHARE