Foto: Top Channel
Në Gjermani, situata e rënduar ekonomik rrezikon të bëhet akute: Shoqatat e biznesit kanë paralajmëruar se një në tre kompani nuk ka ndërmend të investojë në vend, e shkak për këtë vendim është çmimi i energjisë, kostot e larta të punës, taksat,e mungesa e punëtorëve.
“Tashmë ka filluar zhvendosja e impianteve jashtë Gjermanisë. Dhe kur kompanitë e mëdha largojnë fabrikat e tyre, kompanitë e vogla dhe furnitorët gjithashtu pësojnë dëmtime ose mbyllin dyert e tyre. Kjo është shpallja e falimentimit për hapësirën ekonomike të Gjermanisë”, deklaroi presidenti i Shoqatës së Tregtisë dhe Shërbimeve me Shumicë dhe të Jashtme Gjermane (BGA), Dirk Jandura për agjencinë Reuters.
“Para së gjithash, sektorët industrialë kanë probleme të mëdha. Nuk shoh ndonjë të ardhme të qartë në Gjermani, nuk shoh se cili është koncepti për industrinë kimike, përpunimin e metaleve dhe inxhinierinë mekanike. Shpenzimet këtu janë thjesht shumë të larta”, shtoi ai.
Edhe presidentja e Shoqatës së Bizneseve Familjare, Marie-Christine Ostermann, pohoi se politikat aktuale ekonomike nuk po funksionojnë. “Nëse korniza ekonomikenuk ndryshohet menjëherë pas zgjedhjeve, edhe më shumë kompani do të shkojnë jashtë vendit”, shprehet ajo. Për kryetarin e Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHT) Peter Adrian gjithashtu, Gjermania ka arritur në një moment krize të të gjithë strukturës ekonomike. Gjermania ka nevojë për investime edhe në infrastruktura të tjera, në rrugë dhe në sigurimin e fuqisë së nevojshme punëtore. “Infrastruktura jonë nuk është infrastruktura e së ardhmes, por infrastruktura e së shkuarës”, paralajmërojnë ekspertët.