Airbus dhe Renault bashkojnë forcat për të zhvilluar gjeneratë të re të baterive elektrike për makina dhe aeroplanë

Prodhuesi evropian i aeroplanëve Airbus njoftoi të mërkurën një partneritet me prodhuesin francez të makinave Renault, për të zhvilluar një gjeneratë të re të baterive elektrike për makina dhe aeroplanë.

Ekipet inxhinierike nga të dyja kompanitë do të bashkojnë forcat për të pjekur teknologjitë që lidhen me ruajtjen e energjisë, një nga pengesat kryesore për zhvillimin e automjeteve elektrike me rreze të gjatë, tha Airbus në një deklaratë, transmeton Telegrafi.

“Për herë të parë, dy liderë evropianë nga industri të ndryshme po ndajnë njohuritë inxhinierike për të formuar të ardhmen e aeroplanëve hibrido-elektrik”, tha Gilles Le Borgne, EVP i Renault për inxhinierinë.

“Aviacioni është një fushë jashtëzakonisht e kërkuar në aspektin e sigurisë dhe konsumit të energjisë, e po ashtu edhe industria e makinave”.

Bashkëpunimi do të fokusohet në optimizmin e menaxhimit të energjisë dhe përmirësimin e peshës së baterisë, duke studiuar gjithashtu ciklin e plotë të jetës së baterive të ardhshme dhe vlerësimin e gjurmës së tyre të karbonit. /Telegrafi/

SHARE